Berisha sulmon Ramën: Alternativa e tij mashtrimi, arkitekti më i zoti për humbje
“Alternativa tjetër është e varfër në ide, e pasur në mashtrime dhe trillime të përditshme. Më lejoni ti rikujtoj zotit Rama se gënjeshtra është frika e njeriut nga vetja e tij, është poshtërsia më e tmerrshme e burrit. Nga mëngjesi deri në darkë shpërndan vetëm gënjeshtra. Fillimisht tha në Shkodër se janë shtruar 600 km rrugë, sot 1.515.Shqipëria në të cilën endeni jua aq ka, ndërsa ajo që shëtisim ne ka 10 000 km rrugë. Kudo që shkon mban me vete trastën e gënjeshtrave për ta shitur kudo që ikën. Le ti themi para jush edhe për rrugën e kombit që thotë se s’ka qenë kundër, a nuk nise ti deputetët për ngritur cadrat dhe përzënë mirditorët. Le ta lëmë në të shkuarën e tij, gënjeshtrën e tij, disfatën e tij të radhës. Nuk ka burrë në Shqipëri apo Ballkan si ai, arkitekt më të zotin për humbjen njëra pas tjetrës. Njeriu që si rri shpirti në vend po nuk regjistroi humbjen e radhës. 23 qershori po vjen për të ndalë përfundimisht këtë grup njerëzish që me një akt të shëmtuar bllokuan statusin kandidat për qëllime personale pushteti. Ju ftoj ta shndërrojmë këtë fushatë elektorale, në fushatën më të bukur, më të qytetëruar, me pamjet më masive për të arritur fitoren e bardhë. Sëbashku ndryshuam Shqipërinë ,sëbashku po ndërtojmë Shqipërinë moderne, sëbashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe liberalizuam vizat, sëbashku për një fitore të shkëlqyer, më të madhen në këto 20 vite” tha Berisha.Përkundër alternativës së majtë pa ide, Berisha tha se katër vitet që vinë PD dhe koalicioni i tij fitues do të përbyllin projektin e infrastrukturës moderne, duke mundësuar kështu shërbime të njëjta si në qytet ashtu edhe në fshat.
“Në këto vite kemi shpallur si përparësi më madhore infrastrukturën moderne, ujë, drita, kanalizime, shkolla në të gjitha komunat e fshatrave të vendit. Do bëjmë gjithcka për tu dhënë infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Cilido që e vë në dyshim këtë le të vijë këtu në Domje dhe ti krahasojë me ato të qytetit, janë absolutisht të njëjta. Në këtë përpjekje ne kemi investuar në rrugët e zonave rurale, kemi ndërtuar mbi 8 mijë km rrugë në Shqipërinë rurale, mbi 10 mijë km rrugë në gjithë vendin. Katër vitet që vinë do jenë vitet e finalizimit të infrastrukturës moderne në të katër anët. Ne kemi investuar në gjithë vendin, sin ë rrethinat e Tiranës, në veri e jug. Mandati i ardhshëm do jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve, vetëm në rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve janë punësuar mbi 257 000 qytetarë, kanë nxitur krijimin e bizneseve të reja. Alternativa jonë është rrugë të reja, shkolla, ujësjellsa, vende pune , rritje rrogash dhe pensionesh” theksoi Kryeminsitri.
Duke iu referuar në mënyrë të vecantë banorëve të Domjes, Kryeministri i garantoi ata se qeveria do të mbështesë cdo projekt të kryetarit të Komunës në funksion të përmirësimit të jetës së banorëve atje, ndërsa i njoftoi ata për fillimin e punimeve të rrugës Berxull-Laknas.
Rikonstruksioni i rrugës Bërxullë – Domje, me gjatësi 5.3 kilometër, është një investim me vlerë 232,308,000 lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10.000 banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Berxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë - Durrës dhe superstradën e Rinasit.
Ky investim shkurton kohën e udhëtimit krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative te komunës Berxullë dhe bashkise Kamez, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore.