Incidenti në Vjenë, PD, kërkesë për komision hetimor ndaj Ramës

Demokratët formalizojnë kërkesën e tyre për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kreut të PS Edi Rama për incidentin e Vjenës, me diplomatin Egin Ceka.Deputetët e grupit të PD-së kanë mbledhur firmat për të ngritur këtë komision hetimor, komision të cilin e paralajmëroi në seancë plenare edhe kryeministri Sali Berisha.Në projekt vendim thuhet se kërkesa konsiston në ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit me objekt hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës.Më tej evdidetohet se komisioni do të kryejë hetimin e plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në incidentin e datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës.Në bazë të projekt vendimit parashikohet që komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 9 deputetë. Kryetari i përket Partisë Demokratike, ndërsa  nuk është përcaktuar për afatet kohore që do të funksionojë ky komision.Ndërkaq në seancën e së hënës pritet që kjo kërkesë të kalojë në votim në mënyrë që komisioni hetimor të nisë nga puna.Kërkesën për ngritjen  e komisionit hetimor parlamentarët  demokratë e kanë bazuar në mbështeteje të neneve 77 dhe 78 të Kushtetutës, neneve 8 dhe 9 të ligjit nr. 8891 datë 2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore",  si dhe të neneve 25 dhe 55 të Rregullores së Kuvendit. Kërkesa për ngritjen e komisionit  hetimor është firmosur nga më shumë se 30 deputetë të grupit parlamentar demokratë.