Basha viziton grevistët: Mundësojmë strehimin tranzitor. Banorët kundërshtojnë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u ka ofruar ndihmën e Bashkisë për strehim, banorëve të futur në grevë urie, në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilët u nxorrën nga godina, me një vendim të Përmbarimit.Kreu i Bashkisë është takuar sot me banorët, ku përmes një akti ndjeshmërie qytetare u ka bërë të ditur se Bashkia do u mundësojë sistemimin e menjëhershëm në banesa me qera, derisa të ketë mundësi t’i sistemojë, me 3 programet për strehim: banesat sociale, kreditë e buta ose bonusi i qerasë që ofron Bashkia e Tiranës.“Ne do të mundësojmë një periudhë tranzicioni në banesa me qera, të mara përsipër nga Bashkia e Tiranës me ndihmë donatorësh, sepse vetë nuk kemi mundësi ligjore të drejtpërdrejta. Do ta përdorim këtë periudhë tranzitore 3-4 mujore, për të parë cili nga tre programet qe ne ligjërisht disponojmë dhe që të mundësojë nje zgjidhje edhe afatgjatë, qoftë banesa sociale, qoftë kredi kur mund ta përballojë apo bonus qeraje, në rast se dy të parat nuk mund të funksionojnë. Nëse vendimi i Përmbarimit nuk përmbush kushtet ligjore, çka u pretendua nga banorët, por që unë nuk kam mundësi ta them tani, do ta verifikoj 24 orët e ardhshme, atëherë nuk ngelet gjë tjetër, veçse të rikthehen në gjendjen e mëparshme. Në të kundërt, shpresoj dhe besoj se oferta ime si qytetar me ndjeshmëri po dhe si kryetar i Bashkisë, me një mundësi për të ndihmuar qoftë edhe jo brenda tagrit ligjor, të pranohet” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.Por banorët kanë kundërshtuar propozimin e Bashës, pasi deklaruan se nuk mund të pranojnë më strehim tranzitor dhe banesat sociale i kanë të pamundur ti mbajnë.14 familjet që u nxorën jashtë banesave nga Përmbarimi, në rrugën "Margarita Tutulani" në kryeqytet, vijojnë edhe sot grevën e urisë. Aktualisht mësohet se grevën po e vazhdojnë 9 banorë, pasi 4 të moshuar dhe një grua rreth 45-50 janë detyruar ta ndërpresin atë për shkak të problemeve shëndetësore.Katër të moshuarit, mbi 60 vjeç, kanë shfaqur probleme me tensionin dhe zemrën dhe janë dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ndërkohë, pasditen e sotme një tjetër banore është ndjerë keq. Mësohet se grevistja vuan nga diabeti dhe menjëherë është marrë nga ambulanca për ti dhënë mjekimin e duhur.