Zgjedhjet, Nishani: Jam kundër çdo retorike agresive, ndarëse, përçarëse
Kreu i shtetit Bujar Nishani ka kërkuar nga palët politik në Shqipëri tu largohen retorikave agresive dhe të shpalosin alternativat e tyre në zgjedhjet e 23 qershorit.Në një intervistë për “Deutsche Welle”, presidenti theksoi se në zgjedhjet e 23 qershorit kërkohet një maturi dhe një pjekuri të rritur të shoqërisë dhe një infrastrukturë e mirë zgjedhore. Sipas tij një tjetër sfidë e madhe për këto zgjedhje është edhe mënyra e sjelljes të partive politike dhe të lidershipit politik duke filluar nga retorika.“Jam kundër çdo retorike agresive, ndarëse, përçarëse. Kundër çdo retorike, e cila i shmanget thelbit që ka në parim por edhe implementim procesi zgjedhor, që është alternativa, doktrina dhe platforma qeverisëse dhe jo sulmi verbal, ironia therëse, apo retorika përçarëse. Kështu që në këtë kontekst, unë do të vlerësoja disa shenja pozitive që janë dhënë nga dy kampet e së djathtës dhe të së majtës, të cilët këtë prag fushate paraelektorale e kanë nisur duke shpalosur programe, duke shpalosur alternativa, duke menduar se çfarë është bërë, çfarë duhet bërë, si e shikon procesin e zhvillimit ekonomik njeri krah, si e shikon tjetri; cilat janë elementet ku do të mbështetet njeri, apo ku do të mbështetet tjetri. Dhe do t'i inkurajoja dhe këshilloja të vazhdojnë me fokus kryesor në këtë metodikë, në këtë sjellje elektorale për qytetarët shqiptarë dhe të largohen tërësisht nga retorikat e panevojshme, retorika të cilat ngarkojnë emocionalisht dhe psikologjikisht qytetarët dhe krijojnë një imazh jo të vërtetë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shoqërisë shqiptare. Por kjo mbetet sfidë, e cila lidhet me përgjegjësinë, me përgjegjshmërinë, me pjekurinë, me qytetarinë, në radhë të parë të lidershipit politik, të tërë superstrukturës partiake dhe politike të forcave politike apo koalicioneve” ka theksuar Nishani.Sipas kreut të shtetit duhet të shkohet drejt të kuptuarit dhe të ushtruarit përmes sjelljes në një garë elektorale që do të ketë jo një fitues apo një humbës, por do të na sjellë një mazhorancë dhe një minorancë ku automatikisht mazhoranca ka përgjegjësi më të mëdha dhe minoranca ka përgjegjësi morale më të mëdha.Gjithashtu presidenti Nishani është shprehur optimist që Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe sipas të gjitha standarteve të kërkuara nga ndërkombëtarët.Arsyeja dhe faktori kryesor i këtij optimizmi për mua është pjekuria dhe sjellja e shoqërisë shqiptare, e cila tashmë ka një nivel dhe stad për nga mënyra e të menduarit, mënyra e reflektimit dhe mënyra e sjelljes shumë të ndryshme krahasuar me pesë vite më parë, e pakrahasueshme me dhjetë vite më parë dhe e paimagjinueshme me njëzetë vite më parë. Askush nuk mund ta tërheqë më politikisht për hundësh shoqërinë shqiptare. Me këtë dua të them që e tërë superstruktura është e detyruar dhe do të jetë e detyruar të sillet në raport me këtë reagim që vjen nga shoqëria dhe kjo jep garancinë më të madhe për optimizmin që ekziston tek unë. Së dyti, zgjedhjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne, që të gjithë bashkë; institucionet, shoqëria civile, media, duhet të konsolidojmë një mentalitet që ekziston prej vitesh, dekadash në perëndim, që zgjedhjet nuk janë një domain i partive politike. Zgjedhjet janë një e drejtë themelore e qytetarëve të këtij vendi, e mundësisë së tyre për të shprehur vullnetin më të rëndësishëm dhe kryesor për një njeri, që ka të bëjë me mënyrën sesi do të udhëhiqet ajo shoqëri dhe si do të zhvillohet e si do të drejtohet ajo shoqëri. Këto nisin me hapin e parë për të krijuar infrastrukturën, dhe nëse shikojmë infrastrukturën që ekziston sot për zgjedhjet në Shqipëri, unë kam jo vetëm eksperiencën, por edhe argumentet e padiskutueshëm, se ekziston një infrastrukturë shumë e mirë, që Shqipëria të realizojë zgjedhje të drejta, të mira dhe të ndershme” theksoi kreu i shtetitGjithashtu presidenti Nishani e ka cilësuar si historik marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Beogradit . “Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë dyshim që është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nuk është aspak teprim të quhet edhe një hap historik për faktin e uljes në tryezën e bisedimit, si përfaqësues të dy vendeve, qeveritarët e Serbisë dhe qeveritarët e Kosovës, duke tejkaluar momentet shumë të dhimbshme të një të shkuare të afërt dhe duke promovuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të vështrimit të së ardhmes së përbashkët në kontekstin rajonal, në kontekstin e pajtimit, në kontekstin e orientimit drejt një rruge, e cila për ne shqiptarët është e vetmja dhe pa alternativë, është rruga e integrimit në standardet, modelet dhe strukturat evropiane” tha presidenti.Sipas tij zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të relaksojë tërë marrëdhëniet, në radhë të parë midis shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi, por edhe midis të gjithë nacionaliteteve të tjera të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë trashëguar nga e shkuara e largët dhe e afërt, doza të urrejtjes karshi njëri-tjetrit, të përplasjes, të luftës, të vrasjeve, të dhimbjes.“Parimet dhe trendi i zhvillimeve moderne të kohës, kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme, pikërisht këtë marrëdhënie bashkëpunimi, bashkëjetese, dhe shkëmbimi jo vetëm të ideve dhe parimeve që sot promovohen në botën evropiane, por dhe të modeleve të zhvillimit ekonomik, që në fund të fundit janë konkluzioni i tërë asaj atmosfere, që synohet të krijohet përmes këtyre marrëveshjeve, përmes bisedimeve, përmes bashkëpunimit, krijimit të strukturave ligjore, funksionimit të shtetit ligjor, e kështu me radhë” shtoi më tej ai.