Dita botërore e librit, MTKRS dhe Shoqata e botuesve aktivitet në Tiranë

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë organizuan një veprimtari mbi librin dhe rolin e tij në shoqërinë e sotme.Ministri i TKRS-së, Visar Zhiti gjatë përshëndetjes së tij tha se libri është ai që mbledh njerëzit, pikëtakim i kohëve dhe brezave, i të shkuarës me të ardhmen, që në vetvete ka vetëm të tashme, çastin e leximit, të shndërruar në përjetësi.“Sot është festa juaj, “Dita Botërore e Librit dhe e të drejtave të autorit”. Kremtohet në çdo 23 prill, që kur UNESCO mori këtë vendim në Konferencën e saj të Përgjithshme, mbledhur në Paris 1995, me qëllim që të nxisë më tej dhe të vlerësojë lumturinë që të jep leximi, të vlerësojë punën e autorëve në progresin shoqëror e kulturor të njerëzimit. U zgjodh 23 prilli se në këtë ditë të viti 1616 vdiqën, ose më saktë filluan pavdekësinë, tre shkrimtarë fondamentalë, Servantesi (1547-1616), Shekspiri (1564-1616) dhe Inca Garcilaso de la Vega (1539-1616). Por në këtë ditë edhe ka lindur Shekspiri, kështu besohet, edhe Moris Dryon, Nabokov, Valejo, nobelisti Llaksnes.Është libri që na mbledh, pikëtakim ky i kohëve dhe brezave, i të shkuarës me të ardhmen, libri në vetvete ka vetëm të tashme, çastin e leximit, të shndërruar në përjetësi, teksa tani na jep mundësinë të kremtojmë e të shkëmbejmë mendime, pikëpamje e emocione. Libri është kujtesë e botës, grumbullim përvoje e botës, vegim dhe ëndërr, shpirt i grumbulluar i botës, thënë shkurt, libri është vazhdim i njeriut”u shpreh Ministri.Ndërsa në këtë ditë të vecantë në mbarë botën dhurohen libra, edhe Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve i ka kushtuar një vëmendje të veçantë festimit dhe respektimit të kësaj dite të shënuar. Zhiti tha se MTKRS do të dhurojë një fond të konsiderueshëm nga botimet e financuara prej saj, me karakter albanologjik, disa prej bibliotekave si atyre të:

  • Qytetit Studenti,
  • Fakultetit Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës,
  • Bibliotekave publike Lushnje, Shkodër, Durrës, Korçë, Berat, Elbasan, Fier, Muzeut Historik Kombëtar,
  • Ambasadave,
  • bibliotekave të burgjeve, ku libri duhet të jetë më i rëndësishëm se kyçet.