Bruksel, Bumçi takohet me John Kerryn, konfirmohen marrëdhëniet e mira

Në kuadër të Ministerialit të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry. Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe u shpreh dëshira e ndërsjelltë për thellimin e tyre në të ardhmen.Ministri Bumçi i shprehu mirënjohjen Sekretarit Kerry për rolin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin dypalësh, për anëtarësimin në NATO, dhe ndaj çështjes shqiptare në rajon.Ai theksoi se shqiptarët ushqejnë ndjenjat më të thella dhe dashamirëse ndaj popullit dhe lidershipit amerikan, duke vënë në dukje edhe rolin e paçmuar mbështetës për arritjen, së fundmi, të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.Ministri Bumçi e ftoi Sekretarin Kerry të vizitojë Tiranën, në një kohë të përshtatshme, çka u mirëprit me kënaqësi nga Sekretari Kerry.Gjithashtu ministri Bumçi u takua edhe me Zëvendëskryeministren dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europian të Kroacisë, Vesna Pusiç.Gjatë takimit u diskutua rreth marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, përfshirë në kuadër të NATO-s si dy vende aleate.Ministri Bumçi e uroi Ministren Pusiç për anëtarësimin e afërt të Kroacisë në Bashkimin Evropian, dhe në këtë kuadër ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin dypalësh për përparimin sa më të shpejtë edhe të Shqipërisë në BE, për të cilën Ministrja Pusiç dha mbështetje të plotë.Gjatë takimit u diskutua në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin ekonomik dhe në fushën e energjisë, dhe u ra dakord për nënshkrimin sa më të shpejtë të Memorandumit të Bashkëpunimit për mbështetjen e projekteve TAP dhe IAP, që do të realizohet së afërmi mes Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.