Fule:BE pret progres sa i përket zgjedhjeve
Komisioneri për zgjerim në BE Stefan Fyle ishte i qartë sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas takimit të 5-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri- BE, komisioneri Fyle tha se progresi varet nga partitë politike, ndërsa ritheksoi se zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit duhet të jenë në përputhje me standaret ndërkombëtare.“Progresi i mëtejshëm i Shqipërisë do të varet nga aftësia e partive politike shqiptare për të mbajtur një dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv dhe për të dhënë rezultate konkrete në përmbushjen e reformave për reforma. Ne e kemi theksuar vazhdimisht se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare është thelbësore për përparimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian. Ekziston një nevojë urgjente për partitë politike për të rivendosur besimin e ndërsjellë dhe të demonstrojnë angazhimin e tyre për funksionimin rigoroz dhe jo-partiak të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Të gjitha palët politike kanë një përgjegjësi për të siguruar besimin e njerëzve në procesin zgjedhor. Të gjitha palët politike!” ka theksuar Fule.Sa i përket situatës së krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve komisioneri për zgjerim në BE tha:“Të gjitha partitë politike janë përgjegjës për garantimin e pavarësisë së organeve të administratës zgjedhore. Kjo është thelbësore për kredibilitetin dhe paanshmërinë e punës së tyre dhe për besimin në ndershmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Ne jemi të shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit për sa i përket përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pasojat e saj të mundshme për procesin zgjedhor”.Por ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se zgjidhja për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve qëndron pikërisht tek ligji."Nëse marrëveshjet do të respektohen në frymë dhe në gërmë për KQZ-në, të gjitha garancitë janë në dispozicion", theksoi Bregu.Sipas ministres statusi kandidat për Shqipërinë nuk u dha pasi nuk u miratuan tre ligjet e kërkuara nga Brukseli."Statusi nuk u dha jo sepse Shqipëria nuk arriti një masë kritike të kritereve. Shqipëria nuk e mori statusin për shkak të mosvotimit të 3 kushteve. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk do të pushojnë kurrë edhe pasi Shqipëria të bëhet anëtare".Edhe ministrja irlandeze për çështjet europiane theksoi se liderët e partive politike në Shqipëri duhet të punojnë në mënyrë konstruktive me njëri tjetrin. Lucinda Creighton tha se BE është e vendosur për të mbështetur Shqipërinë në procesin integrues, por kjo rrugë tani do të varet nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, që sipas saj duhet të jenë një dëshmi për demokracinë e vendit.