PD finalizon sot marrëveshjen parazgjedhore, Berisha do bëjë publik emrin e koalicionit
E ndërsa përmes një vendimi të fundit, KQZ u dha edhe 24 orë partive për regjistrimin e koalicioneve, Partia Demokratike pritet të mbyllë sot gjithcka rreth koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet e 23 qershorit.Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të nënshkruajë marreveshjet me partitë aleate kryesisht të qendrës dhe qendrës së djathtë në orën 18.30, me çrast do të prezantohet edhe emri i koalicionit të djathtë. Dy të mandatuarit e Partisë Demokratike për negociatat, Ritvan Bode dhe Oerd Bylykbashi, zhvilluan bisedime me rreth 25 parti, gjatë tre ditëve të fundit.Një pjesë e mirë e drejtuesve të partive që do të jenë pjesë e koaliconit kanë vlerësuar ofertën e berë nga demokratët, por ende nuk ka detaje mbi pikat e marrëveshjes. Më herët disa nga aleatët e kryeministrit Berisha patën kërkuar përfshirjen në listat e kandidatëve për deputet të PD-së.Por një gjë e tillë është kundërshtuar fort nga Aleanca Demokristiane e Zef Bushatit, i cili deklaroi se nëse ndodh dicka e tillë partia e tij do të rishikojë koalicionin me PD.“Partia Demokratike të qëndrojë korrekte me negociatat. Kemi rënë dakord që asnjë emër nga partitë aleate të mos futet në listat e PD. Nëse prishet marrëveshja Aleanca Demokristiane do të rishikojë koalicionin me PD” tha Bushati.