Trazirat në Trikala, policia gjen shenja të ADN së shqiptarit Ilir Kupa, një nga 8 të arratisurit

Policia greke hedh një hap drejt përcaktimit të vendodhjes së një prej 8 shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikallasë.

Burime nga policia bëjnë me dije se janë gjetur shenja të ADN të shqiptarit Ilir Kupa në automjetin e grabitur në Athinë të enjten, e që më pas u gjet i braktisur në Oinofita.

Ilir Kupa ishte mes personave që shkëmbyen zjarr me policinë ku mbeti e vrarë një 25- vjeçare greke. Tetë personat e shpallur në kërkim, që sipas policisë janë arratisur mbrëmjen e 22 marsit, janë: Flaulant Luli, 27 vjeç, Edison Lika, 25 vjeç, Ilir Kupa, 27 vjeç, Marjan Kola, 36 vjeç, Klement Cala, 25 vjeç, Admir Murataj, 41 vjeç, Ermal Lita, 35 vjeç dhe Fatos Sulaj, 31 vjeç. Policia greke prej një muaji po punon për kapjen e 8 shqiptarëve që u arratisën nga burgu. Emrat dhe fotot e tyre u janë dërguar policive në rajone të ndryshme të Greqisë dhe palës shqiptare. Sipas Policisë greke, në ngarkim të tyre rëndojnë disa akuza, duke filluar që nga “vrasja e mbetur në tentativë” ndaj dy rojeve të burgut, “arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “krijim grupi kriminal”, “armëmbajtje pa leje” dhe “futje të celularëve në burg”.

Aktualisht policia ka përqendruar kërkimet kryesisht përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë, pasi dyshohet se katër prej të kërkuarve fshihen në këtë zonë, nëse nuk kanë arritur të hyjnë brenda territorit shqiptar. E gjithë policia greke u vu në alarm pas kësaj ngjarjeje, shënuar në orët e vona të 22 marsit.

Dy mjete ku ndodheshin persona të armatosur me kallashnikovë dhe granata sulmuan nga jashtë Burgun e Trikallës, duke plagosur policët në vendet e rojës. Paralelisht reaguan nga brenda burgut të dënuarit, të cilët kishin arritur të prisnin me sharrë hekurat e qelive. Pas këtij sulmi nga brenda dhe jashtë, sipas të dhënave të Policisë greke, u gjetën 400 gëzhoja armësh zjarri, si dhe u konstatuan gropat e hapura nga shpërthimi i 7 granatave.

Në rastin e Burgut të Trikallës, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë thanë se bëhet fjalë për një grup kriminal, të cilët mund të kenë shfrytëzuar armët e rrëmbyera nga depot e Ushtrisë në Shqipëri, gjatë vitit 1997.