Vazhdojnë negociatat në selinë blu, nesër marrëveshja me LZHK. PDIU: Arritëm mirëkuptimin

Vazhdojnë negociatat për formimin e bllokut të djathtë në selinë blu. Takimet të cilat kanë startuar paraditen e sotme nën drejtimin e grupit negociator të PD-së me Ridvan Boden dhe Oert Bylykbashin.Gjatë pasdites së djeshme janë zhvilluar edhe takimet e para me disa nga partitë e vogla të qendrës së djathtë. Partitë me të cilat dje është arritur marrëveshja janë BLD-ja e Arjan Starovës, Aleanca Demokratike e Arben Demetit, PBKD-ja e Artur Roshit dhe Agraro- ambientalistët e Xhuvelit. Baza e marrëveshjeve parazgjedhore është premtimi për bashkëqeverisje, si në tetë vitet e kaluara, e bazuar në votat që secila prej partive ka marrë.Ndërkohë që dy prurjet kryesore të koalicionit që do të drejtohet nga Partia Demokratike, janë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane. Lëvizja e Dashamir Shehit në zgjedhjet e 2009-s mori 10 mijë vota, ndërsa në ato lokale 21 mijë vota, shumicën e të cilave ajo e ka në Tiranë. Ndërkaq kalimi i PDK-së djathtas pritet të shtojë votat e koalicionit, veçanërisht në Shkodër dhe Lezhë.Pas takimit në selinë blu, Shehi tha se marrëveshja është arritur, ndërsa pritet të nëshkruhet ditën e nesërme.“Nesër do nënshkruajmë marrëveshjen me PD për koalicionin.Marrëveshja me PD rrit mundësitë për fitore në 23 qershor”tha ai.Pjesë e negociatave në selinë e PD-së për koalicionin parazgjedhor ka qënë edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili deklaroi për mediat se kjo forcë pret të zyrtarizojë koalicionin me PD, pasi mirëkuptimi është gjetur, sic tha ai.“Patëm një diskutim goxha të gjërë, u njohëm me platformën e bashkëpunimit, duke filluar nga pjesët programore. Gjetëm mirëkuptimin me PD, është një program që përputhet me platformën e PDIU-së. Ne kemi ngulur këmbë që i gjithë koalicioni të ketë jetësuar si pjesë të axhendës diplomatike dhe qeveriatare rezolutën came, kemi insistuar edhe një ministri diaspore do të ishte e udhës”, tha Idrizi.Burimet brenda selisë blu flasin se nga 67 parti që janë regjistruar në KQZ, do të negociohet me të gjitha ato forca që janë të qendrës dhe qendrës së djathtë, me qëllim krijimin e një koalicioni më të madh se të dy viteve më parë, kur numëroheshin 22 parti.