Marrëveshja PS-LSI, zyrtarizohet “Aleanca për Shqipërinë Europiane”
Nderkaq marrëveshja u firmos nga dy kryetarët respektivë, Edi rama dhe Iir Meta në përfundim të punimeve të konferencës ballkanike të Partive Socialiste Europiane në Shkodër.Kreu i PS, Edi Rama vlerësoi se kjo marrëveshje do ti kthejë popullit shqiptar të drejtën sovrane të qeverisë së këtij vendi.
“Sot është një ditë e shënuar për dy arsye, së pari se sot për herë të parë PSE mban konferencën e saj për Ballkanin në Shqipëri, për ta përfunduar në Mal të Zi. Por edhe falë mbështetjes së tyre, e majta shqiptare është sot e bashkuar për të filluar një rrugë të re dhe për ti dhënë Shqipërisë një prespektivë të re. Do ta forcojmë praninë e Shqipërisë në nismat rajonale, politike, ekonomike, sociale. Fokusi ynë lidhur me organizatat rajonale do zhvendoset drejt atyre që kanë interes të drejtëpërdrejtë me Shqipërinë. Ne jemi të sfiduar si shqiptarë dhe popujt e tjerë të rajonit që kohën e re që historia e solli në mënyrë spektakolare ta zhfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Sëbashku të shohim nga Brukseli në funksion të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha, duke konceptuar një të ardhme të përbashkët në mes të Europës. Do firmosim këtu në Shkodër bashkë me Metën marrëveshjen që do ti kthejë popullit shqiptar të drejtën sovrane të qeverisë së këtij vendi” tha Rama.
Duke u ndalur në prespektivën europiane të rajonit, Rama vlerësoi se ka ardhur koha që drejt Brukselit të mos drejtohemi më vetëm për shuarje konkliktesh por për të kërkuar mbështetje për zhvillime madhore. Kryesocialisti ka shtruar nevojën për më shumë bashkëpunim mes qeverive të Ballkanit, ndërsa shprehu angazhimin e tij për të filluar punën fill pas 23 qershorit për nëshkrimin e një memorandumi për respektimin e pakicave në rajon. Në këtë kontekst ai tha se duhen lënë pas tonet nacionaliste për të forcuar paqen dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.
“Më pak se 15 vjet më parë ne kemi qenë në luftë, kjo sallë do ishte e paimagjinueshme por në një kohë jo të gjatë ka ndodhur një ndryshim marramendës, dhe ja ku jemi sëbashku mes miqsh e partnerësh të ardhur nga disa zona pas një konflikti që dukej se s’do merrte fund për rajonin. Jemi këtu si mishërim i shembullit të jashtëzakonshëm të politikës për të ndryshuar gjërat. Ne socialistët besojmë te fuqia e politikës për të ndryshuar për mirë jetën e njerëzve, pa të s’do ishin krijuar as BE as SHBA, as paqja mes Kosovës dhe Serbisë për të kapërcyer të shkuarën dhe për të parë drejt të ardhmes. Jeta e re e Ballkanit ku jetojmë duhet të dëshmojë atë që ne predikojmë, paqen dhe bashkëpunimin rajonal, në funksion të mirëqënies së qytetarëve. Ne shqiptarët s’mund të predikojmë paqen e kohës së re të rajonit dhe të ushqejmë fantazmën e vjetër të nacionalizmit. Ne socialistët duam ti japim jetë një politike progresiste bashkëpunimi. Që ditën e parë pas 23 qershorit duam të punojmë për arritjen e një memorandumi për respektimin e pakicave. Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës duhet të kthehen në ura drejt një të ardhmje më të mirë, që shtetet tona të rrisin cilësinë e një bashkëjetese të shëndetshme. Synimi jonë është integrimi në BE, pas 23 qershorit duam t’ua lëmë arkivave tonet nacionaliste” u shpreh Rama.

"LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS për krijimin e një koalicioni paraelektoral. Bashkimi i të majtës dhe i gjithë forcave progresiste është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial. Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndjen përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE. Kjo aleancë e re bazohet në vlera të njëjta themelore të social-demokratëve dhe progresistëve europianë. Ky është një koalicion i natyrshëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë. Faleminderit për inkurajimin për të lënë pas të shkuarën dhe për tu bashkuar në interes të Shqipërisë”- u shpreh Meta.
Sipas liderit të LSI-së, Shqipëria gjatë këtyre katër viteve duhet të kishte bërë shumë më tepër rrugë drejt integrimit, por mungesa e bashkëpunimit dhe klima e konfliktit e kanë bërë të pamundur.