Berisha: Rritje të cilësisë në arsim dhe punësim për të rinjtë
Rritje të cilësisë së arsimit dhe punësim për të rinjtë që diplomohen në universitetet shqiptare. Këto ishin disa nga premtimet që kryeministri Berisha bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentët e mësuesisë në Universitetin e Gjirokastrës."Do të bëjmë gjithçka që sistemin e edukimit, për sistemin e shkollimit i cili është për çdo shoqëri të qytetëruar, për çdo vend që do të arrijë nivelet e zhvilluara është problemi më serioz dhe më përcaktuesi për të ardhmen e tij. Përmbushja e cilësisë nuk është një proces i lehtë. Unë i qëndroj asaj që çdo i ri duhet të provojë të bëjë të vërtetë ëndrrën universitare. Çdo i ri në konceptin tonë duhet të marrë dije, edukim qytetar, formim qytetar por edhe përshtatje maksimale me tregun” tha Berisha.Gjithashtu kryeministri Berisha akuzoi kryesocialistin Rama se ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian por shtoi se ai do të marrë përgjigjen e merituar në 23 qershor.“Rama bllokoi miratimin e tre ligjeve për marrjen e statusit. Ai nuk I bllokoi ligjet se PS nuk e ka në axhendën e saj integrimin por sepse mendoi se qeveria do të fitonte kapital politik duke marrë statusin.Qeveria do të fitonte kapital, do të fitonte edhe opozita, por më shumë do të fitonin shqiptarët. Bllokimi i Ramës për tre ligjet, për të mos marrë statusin, ka sjellë pasoja të papështatshme për vendin por unë kam besimin e madh që zgjedhjet do ti japin përgjigjen më të mirë këtij problemi” shtoi Berisha.Ndërkohë më herët Kryeministri Berisha ka sulmuar edhe koalicionin PS-LSI. Ndërsa ka inaguruar ndërtimin e rrugës Picarë-Golem, shefi i qeverisë ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryesocialistit Rama duke theksuar se ai vuan nga “psikoza e bunkerit”.“Rama ka psikologjinë nga bunkeri i bllokut ku është rritur, nga psikoza që vuan. Kur t'i verbon karrigia sytë, nuk di çfarë flet. Nuk mund të jesh edhe në qeveri edhe në opozitë, e përcakton Kushtetuta kush është në opozitë. I thashë se halat e ngjalave do t'u ngelin në fyt, njëra i mbeti, tani ata kapitulluan” tha Berisha.Kryeministri gjithashtu ka premtuar se gjatë 4 viteve të ardhshme qeverisëse do të ndërtohen të gjitha rrugët në qarkun e Gjirokastrës.“Ne ndërtuam 10 mijë km rrugë dhe ndërtimi i tyre u bë i mundur nga rritja ekonomike, dhe nga lufta kundër korrupsionit. Mblodhëm 9.2 miliardë dollarë më shumë se qeveria e mëparshme. Po ndërtohet në të katërt anët e qarkut të Gjirokastrës. Zotimi ynë është që të ndërtojmë çdo rrugë, alternativa jonë është zhvillimi i shpejtë i vendit. Alternativa jonë është krijimi i vendeve të reja të punës” është shprehur më tej kryeministri. vijon..