Berisha në Përmet: Zero tolerancë analfabetizmit. PS i ka ngelur ora 100 vjet mbrapa

Kryeministri Berisha po zhvillon sot një tur përurimesh dhe aktivitetesh në jug të vendit, në qytetet Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë.Mëngjesin e sotëm ai ka marrë pjesë në inagurimin e shkollës 9-vjeçare “Meleq Gosnishti” në Përmet ku vizitoi edhe klasat dhe laboratorët e matematikës dhe ato të frëngjishtes.Në fjalën e tij kryeministri ritheksoi se arsimi mbetet një nga prioritet kryesore të qeverisë ndërsa shtoi se janë bërë hapa përpara si për ndërtimin e shkollave ashtu edhe për rritjen e rrogave të mësuesve."Shkolla që inauguruam sot ka në klasat e saj 20-25 nxënës, standardin më të mirë që duhet të ketë një shkollë. Shpreh, gjithashtu, kënaqësinë time se gjatë këtyre viteve, duke e shpallur arsimin si çështjen më serioze të kombit tonë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla. Ne kemi vendosur mësuesen dhe mësuesin në epiqendër të përpjekjes sonë për një arsim dhe një sistem edukimi të avancuar, të standardeve më të mira.  Në këtë kontekst, në një hark kohor 6-vjeçar, ne kemi rritur rrogat e mësuesve nga 120-140 përqind, sipas kategorive. Ne ju garantojmë se mbështetja e fuqishme për mësueset dhe mësuesit e vendit do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë” shtoi kryeministri.Shefi i qeverisë nuk ka lënë pa sulmuar edhe kreun e opozitës në lidhje me deklaratat e tij për arsimin dhe pagat e mësuesve.“Ata që ju krahasojnë apo ju shpallin më të padijshëm se mësuesit tanë 100 vjet më parë, unë ju këshilloj t’i ftoni në një orë mësimi dhe, para se të flasin për gjëra të pamend si këto, të ulen e të ndjekin orën e mësimit, mënyrën se si e organizoni ju, të shohin shkallën e përgatitjes tuaj. Për sa i përket cilësimit se mësuesit tanë qenkan më të padijshëm se ata që ne kemi pasur 100 vjet më parë, të bësh një deklaratë të tillë do të thotë se të ka mbetur ora 100 vjet mbrapa dhe jo vetëm të fyesh mësuesit e sotëm, por të fyesh edhe ata që themeluan me vuajtje e sakrifica të mëdha arsimin tonë. Ju po udhëhiqni me zotësi dhe me kompetencë një garë dije, e cila është edhe do të jetë promotori kryesor i zhvillimit të vendit. Ndaj dhe ju ftoj ta vazhdojmë këtë garë. Ju garantoj se për qeverinë gara e dijes është gara e të gjitha garave. Ajo është përcaktuese për suksesin e të gjitha garave të tjera” është shprehur kryeministri.Gjithashtu kreu i qeverisë shtoi se do të bëhet gjithçka për të luftuar analfabetizmin dhe për të rritur cilësinë në shkolla.“Ne do të bëjmë gjithçka që çdo fëmijë të ndjekë shkollën. Zero tolerancë ndaj analfabetizmit. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta në Evropë dhe në botë në ndjekjen e shkollave. Sot Shqipëria ka nivelet më të larta të kalimit nga arsimi i detyrueshëm në arsimin e mesëm, 92  përqind të nxënësve. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kalimit nga shkollat e mesme në universitete, 72 përqind. Sot Shqipëria ka nevojë të orientojë sistemin e saj arsimor drejt arsimit profesional. Arsimi profesional duhet të marrë të gjithë dimensionet, në mënyrë që ne të përshtatemi më mirë me tregun dhe kushtet e tij. Kam kënaqësi të veçantë të konstatoj këtu se në dy vitet e fundit në qarkun e Gjirokastrës janë shënuar hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ridimensionimit të arsimit profesional. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e suksesshëm të këtij dimensioni jetik për arsimin tonë” shtoi kryeministri

Shkolla 9-vjeçare "Meleq Gosnishti" në Përmet është një investim prej 60 milionë lekësh, financim i qeverisë shqiptare, Bankës Botërore, Bankës së Këshillit të Evropës dhe Bankës Evropiane e Investimeve.