Wollfarth: PS të dërgoj emrat në Kuvend. Sequi: Të ndërtohet besimi tek votuesit

Përtej zymtësisë zgjedhore që ka sjellë kaosi në KQZ, ndërkombëtarët apelojnë për rikthim në rrugën e konsensusit dhe realizim të zgjedhjeve me standarte. Ambasadorët Wollfarth dhe Sequi që përfaqësojnë dy institucione të interesuara direkt për zgjedhjet kanë kërkuar njëzëri ristabilizim të KQZ-së dhe përgatitje për procesin zgjedhor të 23 qershorit."Respektoj vendimin që morën 2 anëtarët që dhanë dorëheqje nga KQZ por tani është e nevojshme që të ndiqen hapat ligjor për bërjen e propozimeve për antarët e rinjë. Palët duhet të kenë vullnetin e duhur dhe dialog në zgjidhjen e kësaj çështje.  KQZ mund të operoj edhe me 5 antarë por për të qënë një instucion i shëndetshëm dhe profesional duhen 7 antarë. Më lejoni ta ilustroj me një shembull të një loje në futboll. Nëse një skuadër humbet një lojëtar, loja vazhdon por barra mbetet e lojëtarëve të tjerë” tha Wollfarth.“Do të doja të përsëris mesazhin e Baroneshës Ashton, pasi ky është mesazhi i BE për Shqipërinë. Për Bashkimin Europian është thelbësore që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Kjo është më rëndësi pasi ku do të jetë një test për një fuksionim sa më të mirë të institucioneve demokratike dhe gjithashtu për të pasur progres në rrugën drejt Bashkimit Europian. Një mesazh tjetër që tha Baronesha Ashton është edhe pavarësia e institucioneve dhe gjithashtu do të doja të theksoja edhe një mesazh të fuqishëm që është ndërtimi i besimit te votuesit. Sipas pikëpamjes evropiane, është ndërtimi i këtij besimi, ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët” është shprehur Sequi.Deklaratat e dy zyrtarëve të lartë diplomatike të BE dhe OSBE erdhën në dalje të ndryshme publike pas situatës së krijuar tashmë me një KQZ jo të plotë dhe me proces tërësisht të bllokuar. Edhe ambasadori Wollfarth edhe Sequi kujtuan politikën që të bëjë atë që duhet për standartet pasi këto zgjedhje janë test vendimtar për vendin.

Më poshtë prononcimi i plotë i Ambasadorit Wollfarth:

 Dorëheqja e dy anëtarëve të KQZ-së… Çfarë do të thotë kjo për procesin zgjedhor?

Ambasadori Wollfarth: Është e rëndësishme të kujtojmë edhe njëherë rekomandimet e ODIHR-it, i cili i ka bërë thirrje partive politike të kenë parasysh përgjegjësitë e tyre për përgatitjen e gjithë procesit zgjedhor, këtu përfshihet sigurisht edhe pjesëmarrja në KQZ. Me sa duket kjo nuk është kuptuar sa duhet, edhe unë vetë kam bërë disa herë thirrje për dialog, por deri tani kjo nuk po ndodh. KQZ edhe kështu siç është mund të funksionojë, por do të ishte më mirë që të zëvendësoheshin ata që tashmë kanë dhënë dorëheqjen me propozimet e partive politike që kanë të drejtë t’i propozojnë ata, parti të cilat janë pjesë e Kuvendit. Të qëndrosh jashtë KQZ për një kohë të gjatë nuk është mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetarëve dhe vendit, vend i cili pret me padurim mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë demokratike dhe të përgatitura në mënyrën e duhur.

Z. Ambasador kur flisni për dialog çfarë kuptoni me këtë? A mos duhet të ketë një tërheqje nga ana e PD sepse ajo e krijoi ngërçin duke zëvendësuar anëtarin e LSI-së…

 Ambasadori Wollfarth: Nuk është puna për t’i vënë gishtin se kush e ka fajin. Ajo çka pritet tani është dialog dhe kontribut konstruktiv nga të gjithë, dhe unë do të bëja thirrje për këtë lloj kontributi nga të gjitha palët. Kuadri ligjor shqiptar kërkon një maxhorancë prej 60% për shumë reforma që po ndërmerr vendi të lidhura me axhendën e reformave integruese. Do të ketë jetë edhe pas 23 qershorit. Dhe pikërisht kjo duhet të jetë axhenda e reformave, axhenda e reformave në fund të fundit duhet të jetë të ndërtohet një jetë dhe një e ardhme më e mirë për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Dhe unë pikërisht për këtë do të bëja thirrje, pra, do të bëja thirrje për më shumë përkushtim për t’i shërbyer qytetarëve, për të dhënë një kontribut konstruktiv, dhe për të përmbushur ato çka presin dhe shpresojnë qytetarët, të cilat me sa kuptoj unë kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit. Dhe meqë më duket se e kam këtu me vete, më lejoni të citoj nga Raporti i ODIHR-it dhe rekomandimet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, citim të cilin ata e përsëritën edhe për zgjedhjet vendore në vitin 2011. Dhe po citoj nga rekomandimi i parë i Raportit të ODIHR-it, i cili i drejtohet partive politike: “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që u korrespondon privilegjeve të mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të përmbushin detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë”. Me shumë modesti, unë edhe një herë do t’i bëja thirrje të gjitha palëve politike si një mik i Shqipërisë për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët meritojnë zgjedhje të lira demokratike. Por çfarë po shohim tani?

 Z. Ambasador, situata në Komisionin Qendror Zgjedhor: dy anëtarë të larguar, 48 orë kohë për të sjell propozime të reja që deri tani nuk janë. Cili është qëndrimi juaj në këtë rast?

Ambasadori Wollfarth: I respektoj vendimet personale që morën dy anëtarët e KQZ-së që dhanë dorëheqjen, por tashmë është shumë e rëndësishme që të ndiqen hapat ligjore për bërjen e propozimeve të anëtarëve të rinj. Partitë politike gëzojnë privilegje që ua njeh legjislacionin shqiptar, por ato kanë njëkohësisht edhe detyrime, dhe detyrimi për t’i përgatitur së bashku si dhe për t’i kontribuuar përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme i përket të gjitha partive, veçanërisht atyre që kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Shqipëria gjendet në mes të një axhende reformash serioze dhe një pjesë e mirë e saj kërkon vendime me 60% të votave në Kuvend, dhe si do të arrihet kjo në të tilla rrethana është një pyetje që ende pret të marrë përgjigje, por është një pyetje thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Për pasojë, lipset bashkëpunim i bazuar në ligjin dhe dialog për të ecur përpara, po ashtu edhe zbatimi i ligjit, dhe këtu përfshihet dhe propozimi i kandidatëve brenda afateve.

Nëse nuk do të bëhet ky propozim, sa cenohet procesi zgjedhor në tërësinë e tij?

Ambasadori Wollfarth: Votuesit kanë të drejtën të thonë mendimin e tyre në 23 qershor. Më lejoni të citoj nga dy raportet e fundit të ODIHR-it, atë për zgjedhjet parlamentare në vitin 2009 dhe tjetrin për zgjedhjet vendore në vitin 2011, e pikërisht rekomandimin numër një. Në lidhje me partitë politike, ODIHR-i është shprehur si më poshtë: “Partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që u korrespondon privilegjeve të mëdha që gëzojnë sipas ligjit në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve. Ato duhet të përmbushin detyrat e tyre zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme në interesin e përgjithshëm të Shqipërisë”. Zhvillimi i zgjedhjeve demokratike është qartësisht në interesin e qytetarëve të Shqipërisë dhe dëshirojmë të inkurajojmë fuqimisht ecjen përpara në këtë drejtim.

Po në qoftë se shkojmë në zgjedhje me këtë format të KQZ-së, pra me një KQZ 5-anëtarëshe, sa e shëndetshme, e besueshme dhe e ligjshme do të ishte kjo KQZ?

 Ambasadori Wollfarth: Mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë. KQZ-ja sigurisht mund të funksionojë edhe me 5 anëtarë, por do të ishte e preferueshme që të funksiononte me 7 anëtarë, anëtarë që do të punonin në një mënyrë të shëndoshë, profesionale dhe apolitike. Përgatitja e zgjedhjeve kërkon punë në ekip; dhe më lejoni të përdor një ilustrim nga loja e futbollit, nëse një skuadër humbet një lojtar gjatë ndeshjes për çfarëdo arsyeje, loja vazhdon, por mbi shpatullat e lojtarëve të tjerë bie një barrë më e rëndë, ja pse do të ftoja për mbushjen e këtyre vendeve, për të pasur 7 anëtarë, të cilët janë atje për arsye shumë të mira.