Përplasen për vdekje dy gra, aksidentet në Tiranë e Durrës, largohen autorët

Përplasja nga një automjet ndërsa ecte në rrugët e kryeqyteti i ka kushtuar jetën një gruaje. Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës, tek zona e Liqenit, ku një automjet i cili drejtohej nga një shtetase, identiteti i të cilës nuk dihet ende ka përplasur për vdekje një kalimtare, ndërsa është larguar menjëherë më pas nga vendngjarja duke hezituar të tentojë të japë qoftë dhe ndihmën e parë.Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat janë vënë në ndjekje të autores së aksidentit duke ngritur edhe postoblloqe, ndërsa trupi i viktimës është transportuar drejt morgut të QSUT-se, ku do të bëhet edhe identifikimi i saj.Nga ana e bluve kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit fatal.

Ndërkohë edhe në Durrës është regjistruar një aksident i ngjashëm në rrethana por edhe në bilanc. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 17 të qytetit bregdetar, ku një automjet ka përlasur për vdekje 60-vjecaren Tefta Metolli dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Policia e Durrësit po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të  automjetit të aksidentit.