LSI “hakmerret” për KQZ-në, Manjani: Bashkim votash me PS në njësitë vendore

Shkarkimi vetëm një ditë më parë i Ilirjan Muhos si anëtar në KQZ, i ka dhënë fund njëherë e mirë ndarjes paqësore mes dy parnerëve PD-LSI. Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i LSI, Ylli Manjani, duke iu referuar pikërisht standardit të lobuar nga kryeministri Berisha, balanca politike, deklaroi se LSI do të bashkojë votat e këshilltarëve të saj me ata të Partisë Socialistë, duke vendosur kështu pushtetin vendor nën kontrollin e plotë të opozitës.“Sa na takon neve si LSI që tani dua të komunikoj qartë dhe prerë se për hir të parimit të balancës politike në vend, parim i cili u zbulua nga vetë kryeministri, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, pushteti vendor do të vendoset nën kontrollin maksimal të opozitës.  Veçanërisht detyrat e përgatitjes së listëve të zgjedhësve është detyrë parësore. Për këtë qëllim, LSI deklaron bashkimin e votave në të gjitha këshillat vendore me Partinë Socialiste, që nga ky moment, dhe heq mbështetjen politike çdo të zgjedhuri vendor që ka dalë nga koalicioni i LSI-së me Partinë Demokratike. Në vijim, sigurisht në koordinim të plotë me Partinë Socialiste, në ditët në vijim besoj do të anançohet”- tha ai.Manjani ndërkohë paralajmëroi se në kordinim me aleatin e ri politik do të ketë qëndrime konkrete për parlamentin, per te cilin do te veprohet me një kurs të ri politik, në funksion të përgatitjes  gje garancive për zgjedhjet  e ardhshme.

“Do të ketë qëndrime konkrete për Parlamentin ilegjitim. Që nga mbrëmë, ky Parlament është totalisht ilegjitim. Ka vendosur të legjitimojë partinë shtet, kështu që meriton një kurs të ri politik, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme të pak ditëve më vonë.  Natyrisht është koha që opozita e bashkuar të kërkojë garanci shtesë në kushtet kur mungon ligji, në kushtet kur ligji është hedhur në koshin plehrave nga partia-shtet dhe nga kryeministri. Të kërkojë garanci shtesë për menaxhimin e procesit zgjedhor. Ndryshe, ne nuk mund të lejojmë që vota e shqiptarëve të numërohet vend e pa vend, vota e shqiptarëve të administrohet nga shumica të dhunshme dhe deri atëherë ne do t’i kërkojmë, në mënyrë të veçantë, atyre partive që kanë propozuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sepse ky është parimi që vendosi kryeministri tashmë, ta politizojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tu kërkojmë përfaqësuesve të tyre apo të zgjedhurve nga ata në KQZ që të mos bëhen pjesë e vendimmarrjeve e KQZ-së, vendimmarrje të cilat diktohen nga shumica 4 me 3. Asnjë vendim 4 me 3, nga çastet që flasim, për ne nuk do të jetë i pranueshëm.  Kështu që do të kërkohen balanca të reja, do të eksplorohen mundësi të reja për garanci shtesë që lidhen me funksionimin e KQZ-së, për garanci shtesë që lidhen me lejimin e zgjedhësve që të votojnë sepse sot në çastin që flasim në listat paraprake të zgjedhjeve janë 400 mijë shtetas pa adresë. Për turp dhe për faqe të zezë janë shtetas që kanë votuar tradicionalisht në qendrat e tyre të votimit dhe sot Ministria e Brendshme nuk paska adresë për këta shtetas. Janë projekte që ne do t’i mbikëqyrim me shumë kujdes. Kemi informacione të bollshme tashmë për të gjykuar se ne nuk kemi ndërmend t’ia lëmë menaxhimin e zgjedhjeve një partie të papërgjegjshme dhe një kryeministri që e ka çuar vendin në drejtimin e përplasjes me Perëndimin. Kjo është e papranueshme” tha ai.

 Duke akuzuar Kryeministrin Berisha si pengesa kryesore e integrimit, Manjani deklaroi se opozita e bashkuar nuk mund të ketë objektiv tjetër më kryesor se largimin e tij.

“Po kërkohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Ky është Kryeministri ende detyrë që zëvendësoi ligjin zgjedhor të miratuar me konsensus me një marrëveshje tepër të vjetër. Kursi i përplasjes me perëndimin ka vetëm vetëm një autor, Sali Berishën. Ky është largimi përfundimtar i Sali Berishës nga qeveria dhe nxjerrja e tij në opozitë. Ky nuk është objektivi vetëm yni, por i gjithë shqiptarëve. Objektiv më të rëndësishëm sesa ky opozita shqiptare s’mund të ketë” përfundoi ai.