Rama: Berisha po shkatërron KQZ, votimi si në ’97 me votat e deputetëve mercenarë

Kreu i opozitës, Edi Rama, e ka konsideruar seancën e djeshme në parlament për ndryshimin e anëtarit të KQZ, të ngjashme me atë të marsit të 1997-tës, ku u rizgjodh President, lideri i mazhorancës sot, Sali Berisha.Nga mbledhja e grupit socialist, Rama akuzoi rivalin politik se po shkatërron institucionin më të rëndësishëm zgjedhor.“Seanca e djeshme nga ana e qeverisë, e shumicës së përbërë nga deputetë që e ndjekin në mënyrë të verbër dhe nga mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit, ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes President në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua” tha ai.Rama i ashpër ka qenë edhe me 3 deputetët e vendosur në listë prej tij në 2009, duke i cilësuar mercenarë.“Është e qartë se Kryeministri në ikje po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa asnjë aleat serioz. Fillikat, si në vitin 1997, i rrethuar nga qorra dhe nga mercenarë, përballë një furie popullore që do t'i japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor” u shpreh Rama.Por përtej ketyre shqetësimeve, Rama ka deklaruar se opozita pas këtij veprimi është më e fortë për tu përballur me atë që e konsideroi armik të votës së lirë."Sot jemi më të fortë se asnjëherë dhe si asnjëherë më parë të gjitha manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë fatin e zgjedhjeve” përfundoi Rama.