Konte: U kualifikua skuadra më e mirë
Antonio Konte ka pranuar superioritetin e dukshëm të Bajern Mynih ndaj Juventusit të tij. Sipas trajnerit të bardhezinjve, nuk kishte diskutim për meritën e skuadrës gjermane që fitoi të dy ndeshjet me rezultatin 2-0 nëpërmjet një prove të shkëlqyer."Mendoj se është kualifikuar skuadra më e mirë, e ka treguar si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në fushën tonë. Kjo është një skuadër e përgatitur, që luan në këtë turne prej shumë vitesh dhe ka zhvilluar dy finale të Ligës së Kampioneve. Ajo është ndërtuar për të fituar. Ndërsa ne kemi bërë një gjë të jashtëzakonshme duke ardhur deri këtu dhe tani duhet të kthehemi të mendojmë për kampionatin, Liga e Kampioneve ishte një objektiv aspak real", deklaroi trajneri italian."Mua nuk më duket absurditet ta cilësoj këtë si Bajernin më të fortë të të gjitha kohëve. Janë të fortë fizikisht, kanë cilësi dhe vrapojnë. Për ne ky aktivitet ishte një mundësi të shihnim ku qëndronim realisht, por është e drejtë që t'i bësh komplimente kundërshtarit kur ke përballë një skuadër më të fortë. Kur ndeshesh me një skuadër që ka në dispozicion cilësitë e Roben, Riberi, Manxhukiç e Myler të cilët të ikin edhe kur kanë dy lojtarë para, bëhet shumë e vështirë t'i ndalësh pa lënë hapësira. Në bëmë çfarë ishte e mundur, tani duhet të fillojmë të pajisemi edhe ne për mrekullitë"."E vërteta është se në Itali mund të luajmë si të barabartë ndaj Milanit e Interit, skuadrave më të mira, por në Evropë, skuadrat italiane nuk janë konkurruese. Kjo është e vërteta, çfarëdo që të thuhet tjetër është gënjeshtër", ishte pohimi i trajnerit të Juventusit