Rama: Prekja e KQZ me dhunë, antikushtetuese. Asgjë s'e shpëton pushtetin e Saliut

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar në lidhje me kërkesën e dy partive të djathta PD dhe PR për rikonfigurimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Twitter” Rama thekson se prekja e KQZ me dhunë  rrënon institucionin e administrit të zgjedhjeve dhe imazhin e vendit.“Prekja e KQZ me dhunë është antikushtetuese tregon se ç'regjim do të shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetmine e madhe! Asgjë s'e shpëton pushtetin e partisë familjare të Saliut, prekja e KQZ rrënon ende me shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!" shkruan Rama.Ndërkohë i pyetur në lidhje me kërkesën e PR-së dhe të PD-së për rikonfigurim të KQZ-së pas largimit të LSI-së nga qeveria, nënkryetari i LSI-së Ylli Manjani  i cilësoi ato si të papajtueshme me ligjin.“Partia Republikane dhe Partia Demokratike kanë një papajtueshmëri në atë që kërkojnë. PR nuk kërkon anëtar të KQZ-së sepse ka pranuar, të paktën në qëndrimet e derisotme zyrtare, standardin që KQZ-ja nuk ka punë me partitë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndërtuar mbi bazën e një Kodi Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike nuk kanë asnjë punë me axhendën e këtij institucioni, aq më pak me anëtarët e tij të cilët mbrohen me ligj. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë emëruar në bazë të Kodit Zgjedhor dhe shkarkohen për arsye të ndryshme që janë në nenin 18 të këtij kodi dhe tregohet se si shkarkohen dhe kur shkarkohen. Pra është një çështje tërësisht institucionale dhe juridike dhe nuk ka punë fare politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Politikisht mund t’ju them që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve është standardi numër një i garancisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme” tha Manjani.Sipas Manjani, tendenca për të politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aq më keq tendenca për ta ndryshuar përbërjen e këtij institucioni është pa diskutim një standard i cënuar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.“Ky është një koment që vjen në mënyrë të natyrshme sepse Komisioni Qendror të Zgjedhjeve funksionon mbi bazën e Kodit Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike duhet vetëm të zbatojnë këtë kod. Do të ketë kohë për debate politike kur të ndërtohen komisionet e nivelit të dytë dhe më poshtë dhe aty do të shikohet se si do të jenë konfiguracionet politike. Tashmë e kemi një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ndërtuar komisionet e nivelit të dytë. Pra është miratuar formula politike në në qoftë se do të ketë debat mund të ketë për këtë nivel dhe jo për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse ky është një standard ligjor, standard kushtetues, standard i gjithë pranuar dhe kush e prek atë do të ketë probleme me zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike në këtë vend”shtoi Manjani.I pyetur nëse cënohet standardi i zgjedhjeve duke pasur parasysh që zgjedhjet janë shumë afër, Manjani theksoi: “Ne nuk të paragjykojmë dhe nuk duam të komentojmë askënd dhe asgjë mbi këtë çështje. Ne besojmë se standardi i ngrirë në Kodin Zgjedhor me konsensus politike, miratuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit për një KQZ funksionale dhe jashtë partive do të duhet të vazhdojë deri në përfundimin e zgjedhjeve. Anëtarësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon dhe diskutohet sipas këtij kodi në tetor të vitit 2015. Deri atëherë kemi kohë”.