E shkuara na ndau, e ardhmja na bashkon
Nëse pyetet në vijimësi se cili është efekti elektoral i koalicionit të ri mes PS-së dhe LSI-së, padyshim që përgjigja e parë është fitorja e së majtës. Është kthimi i saj në krye të përfaqësimit politik të shumicës së shqiptarëve, të cilët, megjithëse në shumicë, nuk kanë qenë të përfaqësuar në qeverisjen e vendit, për shkak të përçarjes politike. Kjo do të thotë vendosje të ekuilibrit politik, institucional dhe ekonomik në vend. Tetë vitet e fundit, bashkë me arritjet ka ardhur edhe dominimi i njëanshëm i Partisë Demokratike në jetën politike dhe jo vetëm. Kështu që ky dominim duhet të ndërpritet, për t’i dhënë Shqipërisë më shumë ekuilibër politik. Ekuilibër do të thotë ndryshim politik në qeverisjen e vendit, ndryshim në përparësitë me të cilat duhet të merret politika e ardhshme, rifokusim i energjive qeverisëse më shumë në drejtim të njeriut dhe familjes, ashtu sië mendon ëdo familjar normal në këtë vend dhe në këto kohë të vështira. Ruajtje të stabilitetit në vend dhe garantim i sigurisë. Shoqëria jonë sot ka nevojë për më shumë prezencë të shtetit në edukimin e fëmijëve, në garantimin e shëndetit kur sëmuremi, në garantimin e jetës e pasurisë nga kërcënimi kriminal dhe të japë më shumë hapësira për pune e mirëqenie. Kështu do të kthehemi drejt këtij ekuilibri, i cili është prishur gjatë qeverisjes së gjatë të një partie politike. Ndodh kjo gjë natyrshëm kur një parti qeveris gjatë. Ndodhi kështu edhe pas qeverisjes së gjatë të PS-së. Prandaj vjen natyrshëm nevoja për ndryshim dhe vendosje ekuilibrash në vend. Ndërkohë, ekuilibër nuk nënkupton aspak revansh dhe as zëvendësim të ngjyrës ekzistuese me një ngjyrë tjetër. Kjo do të ishte totalisht jashtë qëllimit dhe misionit ligjor që ka politika sot. Në disa sektorë nuk ka përse të shpikim revolucione, por duhet të garantojmë vazhdimësi. Ashtu si në disa raste, sidomos në rivendosjen e kredos së shtetit, ndërhyrjet duhet të jenë të plota dhe të shpejta. Ky mision ndërhyrjesh, por të balancuara me nevojat e kohës është ai që kemi ne si LSI përgjatë tranzicionit të sigurt të pushtetit politik në vend. Kjo është edhe natyra e të majtës shqiptare, ku ëdo ndërhyrje apo reformë është projektuar dhe kryer me një fytyrë sociale. Për ne njeriu është pasuria më e madhe, ndaj shteti ka detyrë ta garantojë këtë pasuri dhe t’i japë mundësi të zhvillohet. Nga ana tjetër koalicioni përçon një garanci maksimale për votën e qytetarit shqiptar. Vota është më e garantuar dhe garancia duhet parë në dy plane kryesore: në planin e parë, një e majtë e bashkuar do të thotë më shumë motiv politik për votuesin shqiptar që të dalë e të votojë rotacionin i cili është një ngjarje sigurt. Dhe votuesi, zakonisht preferon të zgjedhë ngjarjet e sigurta dhe jo ngjarjet që nuk ndodhin dot. Një e majtë e bashkuar është siguri që çdo vote merr kuptim, sepse nuk shkon dëm për shkak të llogarive të ngushta që sjell përçarja. Imagjinoni që në shumicën e qarqeve në 2009 e majta ishte në avantazh, por për shkak të përçarjes mandatet i mori e djathta. Ka patur madje raste që si PS-ja ashtu edhe LSI-ja nuk morën dot mandate vetëm për një grusht vota. Në kushtet e një koalicioni, ku secila parti mbledh votat që ka, këto rreziqe nuk ekzistojnë më. Në planin e dytë, një e majtë e bashkuar që do kthehet në qeverisjen e vendit, ndikon edhe në klimën e menaxhimit të zgjedhjeve, sepse edhe energjitë fokusohen në një drejtim, por edhe ata që do të kishin ndonjë mendim, për të vjedhur apo shkatërruar procesin do stepeshin, sepse ndëshkimi ligjor është i sigurt, bashkë e ndryshimin e pushtetit. Asgjë nga këto nuk do kishin kuptim, nëse marrëveshjet e sotme parazgjedhore nuk do të funksiononin edhe pas zgjedhjeve. Ne kemi rënë dakord të bashkëpunojmë para zgjedhjeve, me qëllim që të qeverisim pas zgjedhjeve. Ndryshe s’ka asnjë kuptim koalicioni, bashkëpunimi, programi, premtimet. Bashkëpunimi i parë në zgjedhje politike Janë të gjitha këto elementë që e përjashtojnë tezën e një çoroditje të elektoratit. Mua personalisht nuk më rezulton të ketë hutim. Kjo është hera e parë në historinë politike që PS-ja dhe LSI-ja ndërtojnë një koalicion politik për zgjedhje parlamentare. Kjo është e rëndësishme dhe nuk duhet të harrohet. As në 2005 e as në 2009 nuk u gjet mirëkuptimi për koalicion. Rezultati ishte humbje. Këto janë fakte të pamohueshme, apo jo? Tashmë që kjo ka ndodhur nuk ka hutim, por thjesht diskutime normale mbi ato që kanë ndodhur dhe që pritet të ndodhin. E vërteta është që debati për këtë koalicion bëhet më shumë në studiot e televizioneve dhe në blogjet e siteve elektronike, sesa ekziston vërtet në terren, ndërmjet njerëzve që kanë qenë pjesë e një familje politike dikur. Kështu që ky debat, që kërkohet të mbahet gjallë me ëdo kusht në mediat shqiptare, nuk është pjesë e realitetit. Media herë me dashje, e herë pa dashje i shërben pushtetit aktual që është në minorancë, duke mbajtur të gjallë debate mbi histori të së shkuarës. Ne nuk kemi asnjë kompleks të pranojmë faktin se e shkuara na ndau e ardhmja na bashkon. E njerëzit janë të interesuar për të ardhmen dhe jo të humbin kohë me të shkuarën. Ne i shërbejmë të ardhmes dhe debatojmë me këdo që ka mendim se si e ardhmja jonë e përbashkët të jetë sa më e mirë. Të shkuarën, as e ndryshojmë dot, e as se heqim nga kujtesa personale. Por politika ka detyrë të punojë për të ardhmen. Këtë gjë bën çdo i majtë progresist. Dhe në këtë frymë kanë investuar madje edhe partnerët tanë. Jo vetëm e majta europiane, por çdo mik e partner i Shqipërisë, ka theksuar nevojën për ekuilibër të ri dhe përshpejtimit të ritmeve që afrojnë Shqipërinë me BE-në. E me këtë rast, dua të shpreh keqardhjen që PD-ja u tërhoq nga ideja e miratimit të tre ligjeve, në mënyrën më të papërshtatshme të mundshme. Nuk dua ende ta besoj, që PD-ja nuk do t’i miratojë ato ligje...Ne e kuptojmë që PD-ja sot ndjehet në opozitë, por kjo nuk do te thotë që opozita është legjitime për të penguar integrimin. Nëse PD-ja mendon se po merr hak ndaj PS, e ka totalisht gabim dhe nuk tregon seriozitet pas 8 viteve në qeverisje. Nëse kjo sjellje e saj është prelud i sjelljes së saj në opozitë nesër, atëherë kjo nuk është një gjë e mirë. Prandaj, ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për normalitet politik, sa herë të jetë nevoja për miratim ligjesh që lidhen me integrimin.