Berisha në Shijak: Alternativa mavi rrënon fermerët
Kryeministri Berisha ka sulmuar sot alternativën e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për qumështin, grurin dhe miellin.Në një bashkëbisedim me fermerë e blegtorë, në mjediset e një biznesi privat në Shijak, kryeministri Berisha theksoi se heqja e TVSH-së për këto produkte rrënon fermerët dhe kjo sipas tij nuk mund të ndodhë.“Alternativa mavi thotë që do heq TVSH-në për prodhimet e qumështit. Por ne sot për 343 litra qumësht për frymë dhe nëse heqim TVSH-në për qumështin që vjen nga vende të tjera, konkurenca bëhet e pandershme. Ideja mavi për të hequr TVSH-në për qumështin, grurin, miellin është si të rrënosh fermerët tanë. Kjo nuk do të ndodhë, nuk ka shans” tha Berisha.Ndërsa e cilësoi zhvillimin rural të vendit si përparësia më madhore e qeverisë, kryeministri Berisha premtoi 3-fishimin e granteve për fermerët."Për ne, për qeverinë time, për PD-në zhvillimi i qëndrushëm rural, zhvillimi i bujqësisë dhe i të gjithë sektorëve të saj mbeten përparësia absolute. Në projektin tonë “Shqipëria e zhvilluar” ne besojmë që ky projekt kalon në zhvillimin rural dhe në zhvillimin e fshatit shqiptar. Ndaj dhe ne në një nga aktet më madhore për të dëshmuar këtë interes ne dy-fishuam pensionet në fshat dhe kemi angazhuar më shumë se 60 përqind të të gjitha investimeve në Shqipërinë rurale sepse ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës. Ne kemi financuar grante nga 2007-ta e deri sot në 42 mijë familje, kemi subvencionuar 35 mijë fermerë me 10 lekë për kg qumësht. Gjatë viteve të ardhshme do të trefishojmë mbështetjen për fermerët. Por ne bëmë një gjë tjetër të madhe: hoqëm çdo lloj takse dhe tarife që duhet për fermat tuaja e ka mundësi që ky të jetë i vetmi vendim që ndonjë vend ka ndërmarrë. ” shtoi Berisha.Kryeministri Berisha ka kërkuar nga fermerët që të guxojnë për të zhvilluar projekte të cilat do të sjellin suksesin e fermave të tyre.“Çfarë tregon sot zhvillimi i bujqësisë në botë? Tregon se kur përqëndrohesh për ta zhvilluar, mund ta dhjetëfishosh, jo dy apo trefishosh, por dhjetëfishosh prodhimin. Pra, duhet të kemi kurajo, duhet t’i besojmë projekteve, me anë të të cilave mund ta bëjme bujqësinë shumë më të begatë” shtoi Berisha.