Bisedimet me Kosovën, Beogradi duhet të kthejë sot përgjigje

Beogradi duhet të  japë sot përgjigjet nëse është i gatshëm të pranojë një marrëveshje për veriun e Kosovës."Brukseli pret që përgjigjja të jepet të hënën, deri në fund të orarit të punës, në mënyrë që, nëse përgjigja do të jetë pozitive, për të martën do të përgatitej ceremonia e nënshkrimit. Bëhet fjalë për një trysni të butë, ose për trysni plotësuese jo edhe aq të butë", tha Marko Gjuriç, këshilltar i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç.Qeveria e Serbisë do të mblidhet sot për të marrë një vendim lidhur me procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.Javën që kaloi të dyja palët dështuan të arrijnë një marrëveshje për shkak të dallimeve të thella rreth mënyrës së qeverisjes së veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.Autoritetet serbe thanë se nuk kanë arritur të sigurojnë përgjegjësi për  bashkësinë e komunave serbe në fushat e policisë, drejtësisë dhe planifikimit hapësinor, si dhe as  premtimin se  Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të shfaqen në veriun e Kosovës.Prishtina, ndërkaq tha se është e gatshme për krijimin e  bashkësisë së  komunave me shumicë serbe, por nuk do të lëshojë pe në kërkesat për pushtet ekzekutiv,  pasi kjo do të çonte në ndarje të brendshme të Kosovës.Që nga e marta, autoritetet serbe kane vazhduar debatet rreth kësaj çështjeje  pasi Beogradi duhet te vendosë nëse do të pranojë apo jo marrëveshjen nga e cila varet nëse do të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u tha medieve serbe se të hënën do të merret vendimi dhe Brukselit do t'i dërgohet një përgjigje me kërkesën për vazhdimin e bisedimeve dhe për shumë garanci për sigurinë e serbëve në Kosovë.