Lajçak: Në veriun e Kosovës duhet të sundojë ligji
Shefi i diplomacisë së Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se rundi i fundit i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili përfundoi pa marrëveshje, nuk do të thotë dështim përfundimtar i negociatave dhe bëri me dije se Bashkimi Evropian nuk është distancuar nga dialogu.“Na presin ende aktivitete shumë intensive, ndoshta jo aq të dukshme, por më shumë prapa skenave”, ka thënë Lajçak për mediat sllovake.Para se të merrte postin e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Lajçak ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.“Kanë mbetur edhe disa ditë deri te data kur Catherine Ashton do t’i bëjë të ditura rekomandimet e saj. Për Serbinë, është një motiv i madh marrja e datës së fillimit të negociatave për anëtarësim në BE”, ka shtuar Lajçak.Shefi i diplomacisë sllovake beson se do të gjendet zgjidhja, sepse, siç tha ai, nuk ekziston një problem për të cilin nuk ka zgjidhje.“Sot veriu i Kosovës është tokë e askujt, pa sundim të ligjit, gjë e cila nuk mund t’i konvenojë asnjë njeriu të denjë. Atje është e nevojshme që të respektohen ligjet dhe të vlejnë ‘rregullat e lojës’. Për këtë nuk mund të ketë askush kundërshtime”, ka nënvizuar Lajçak.“Pala kosovare është e frikësuar që të mos krijohet një mekanizëm i cili do ta bllokonte funksionimin e Kosovës. Ndërkaq, pala serbe ka frikë që komuniteti serb të mos jetë i privuar nga të drejtat e tij. Në bisedimet e deritashme nuk u shkoi për dore që t’i kapërcejnë këto qëndrime”, tha ai.