Thaçi: Nga dështimi humbim të gjithë

Kryeministri Hashim Thaçi, njoftoi sot kabinetin qeveritar për takimin e fundit me kryeministrin serb në Bruksel.“Proçesin e dialogut kryeministri edhe njëherë e konsideroj të vështirë, por duke shpresuar se në fund do të arrihet marrëveshje. Në rast të dështimit të gjithë do të humbin dhe procesi gjashtë mujor i përpjekjeve për të arrit marrëveshje rezulton pa fitues”, tha Thaçi."Pozicioni i Kosovës në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është një pozicion plotësisht në pajtueshmëri me qëndrimet dhe parimet e prezantuara edhe nga BE-ja, me mbështetje të plotë edhe të SHBA-ve", tha sot në Prishtinë, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi.Ne, vijoi ai, kemi prezantuar idetë tona kreative, që do të dërgonin drejt arritjes së një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve.“Delegacioni i Kosovës ka qenë i gatshëm dhe ka punuar për arritjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i përgatitur, sepse ka pasur Kushtetutën dhe ligjet, ka respektuar Kartën evropiane dhe standardet evropiane”, u shpreh Thaçi.Ai tha se "takimi i fundit në 2 prill ka qenë maratonik, jo i lehtë, i përcjellë me prezantimin e argumenteve dhe kundërargumenteve nga të dy palët".Ai shtoi se " janë këto ditë shtesë për konsulta të nevojshme deri në arritjen e marrëveshjes".“Kosova është e përkushtuar për arritjen e marrëveshjes, që do të ishte në të mirën e saj, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe evropianizimit të rajonit. Një marrëveshje që nuk do të ishte vetëm në të mirë të Kosovës, por edhe të fqinjësisë së mirë, që do të ishte në interesin e lëvizjes përpara, drejt perspektivës edhe të Kosovës edhe të Serbisë, që do të dërgonte mesazhin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”, theksoi kryeministri Thaçi.Prandaj, tha ai, pavarësisht nga vështirësitë, që janë duke e përcjellë këtë proces, që kanë qenë edhe të pritshme dhe që janë krejt normale, ne shpresojmë në arritjen e marrëveshjes dhe dialogu mbetet alternativa e vetme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë.“Unë shpresoj në arsyen e të gjithëve, që të dominojë përgjegjshmëria, arsyeja politike dhe vendimmarrja për të ardhmen, mbi emocionet e së kaluarës. Jam shumë i vetëdijshëm se këto vendime që do të merren në ditët e ardhshme, nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe institucion. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejt një vendimmarrje që u hap perspektivë qytetarëve tanë, pa dallim etnik, një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për të mirë, jetën e qytetarëve tanë, që të realizojmë ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë, për standarde euroatlantike dhe një bashkëpunim ndërfqinjësor të nevojshëm, domosdoshëm”, theksoi kryeministri kosovar, Thaçi.