Koalicioni PS-LSI, Basha: Bashkia do të vijojë të bëjë detyrat e veta
Administrata e LSI-së bë bashkinë e Tiranës , nuk do të cënohet, pavarësisht koalicionit të mundshëm me Partinë Socialiste.Kryebashkiaku Lulzim Basha ka qetësuar të gjithë punonjësit e bashkisë në kryeqytet, duke deklaruar se vendimet politike të partive nuk do rezultojnë me humbjen e asnjë vendi pune.“Bashkia do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta, në raport me nevojat, projektet, aspiratat e qytetarëve të Tiranës. E ka bërë këtë pa dallim bindjesh politike, as nga ana e administratës, as nga ana e qytetarëve. Do të vazhdojë ta bëjë këtë. Vendimet politike u takojnë forumeve politike të partive politike” – u shpreh Basha.Kreu i bashkisë, Basha, e cilësoi këtë sezon shumë të rëndësishëm për mbjelljen e pemëve në të gjithë teritorin e kryeqytetit.“Sot, po e pajisim këtë bllok me gjelbërim të dendur të një tipi shumë të dashur për qytetarët, që është pema bli. Kjo është pjesë e përpjekjes sonë, për të shtuar në këtë sezon mbjelljesh 4000 fidanë pemë të reja anembanë qytetit, duke arritur kështu në 12 500 numri total i pemëve të mbjella që nga sezoni i mbjelljeve të vjeshtës së vitit 2011. Kjo është pjesë e përpjekjes sonë, për t’i sjellë më shumë gjelbërim qytetit. Qyteti ka shumë nevojë për gjelbërim, ka humbur gjelbërim me shpejtësi të madhe në 20 vitet e tranzicionit, ndaj këto 4000 pemë që mbillen në këtë sezon përmbushin dhe tejkalojnë madje premtimin tim, për sasinë e pemëve për këtë sezon mbjelljesh. Ne nuk do të ndalemi këtu por po bëjmë gati planet, që në vjeshtën e ardhshme t’i shtojmë edhe 5000 pemë të tjera kryeqytetit, në mënyrë që në periudhën 2011-fundi i 2013, qyteti të ketë mesatarisht 18 000 pemë të reja anembanë qytetit.” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.Gjatë inspektimit t ëpunës nga punonjësit për mbjelljen e pemëve në njësinë nr. 4, të njohur si zonën e oxhakut, kryebashkiaku Basha së bashku me kryetarin e Bashkisë nr. 4 dhe drejtorin e ndërmarjes së gjelbërim pastrimit, u përshëndetën me banorët e zonës.