Panariti takon Kryeministrin e Egjiptit, i kërkon njohjen e Kosovës
Ministri i Jashtëm Edmond Panariti I ka kërkuar kryeministrit të Republikës Arabe të Egjiptit, Hisham Qandil që vendi i tij të njohë Kosovën. Në një takim me kryeministrin egjiptian, gjithashtu ministri Panariti shprehu vlerësimin për raportet që janë vendosur mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Egjiptit vitet e fundit si dhe falenderoi për mbështetjen që Egjipti i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin në Bankën Botërore, FMN dhe BERZH.Nga ana e tij, Kryeministri Qandil theksoi se Qeveria egjiptiane ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në të ardhmen. Qeveria egjiptiane është duke e shqyrtuar me seriozitet njohjen e shtetit të Kosovës duke e konsideruar këtë si një proces gradual.Në vijim u bisedua mbi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën ekonomike, tregtare, arsim, kulturë e shkencë. Ministri Panariti theksoi se Qeveria shqiptare inkurajon investimet egjiptiane në Shqipëri si në fushën e energjitikës, turizmit, bujqësisë dhe transportit. Me këtë rast ai kërkoi vlerësimin e mundësisë për vendosjen e një linje direkte fluturimi Tiranë-Kajro.Duke u ndalur në zhvillimet në vendet respektive, Ministri Panariti theksoi se Qeveria shqiptare përshëndet procesin e reformave demokratike që po ndërmerr Qeveria egjiptiane në drejtim të demokratizimit të vendit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Ai tha, gjithashtu, se Shqipëria mund të shërbejë si model i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Republikën Arabe të Egjiptit, Ministri Panariti u takua me homologun e tij egjiptian z. Mohamed Kamel Amr. Të dy ministrat vlerësuan nivelin e shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për t'i zhvilluar më tej në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë. Ministri Panariti kërkoi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik posaçërisht në fushën tregtare, energjinë e rinovueshme, bujqësi, turizëm etj. Ai falenderoi homologun egjiptian për mbështetjen që Egjipti i ka ofruar Shqipërisë në drejtim të dhënies së bursave akademike për studentët shqiptarë dhe trajnimit të punonjësve të administrates shqiptare.Në vijim, të dy ministrat diskutuan në lidhje me zhvillimet në rajonet respektive. Ministri Panariti i paraqiti homologut egjiptian kërkesën për formalizimin e njohjes së Shtetit të Kosovës, duke vlerësuar njëkohësisht mbështetjen e deritanishme që Egjipti i ka dhënë Kosovës. Gjithashtu, gjatë bisedës u trajtua situata në Lindjen e Mesme dhe posaçërisht në Siri.Në përfundim, të dy ministrat nënshkruan programin e bashkëpunimit kulturor, teknik dhe shkencor.