Pashkët, kryeministri Berisha uron besimtarët shqiptarë
Kryeministri Berisha vizitoi sot Katedralen e Shën Palit dhe Kishën Ungjillore, në Tiranë, ku u përcolli besimtarëve të krishterë, katolikë dhe ungjillorë, urimet më të përzemërta për Ditën e Pashkës.Në Katedralen e Shën Palit, Kryeministri Berisha u prit nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:“Jam këtu për t’i përcjellë shqiptarëve, besimtarëve katolikë, të gjithë besimtarëve të Zotit, urimet më të përzemërta. Gëzuar Pashkën! Këtë ditë të ringjalljes së Krishtit, ringjalljes së hyjit e burrit që ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e njerëzimit e qytetërimit perëndimor. I uroj gëzuar shqiptarëve këtë ditë, sepse dy dekada më parë, edhe ata e në tërësi vendi, kombi kaloi në një proces ringjalljeje. Uroj në mënyrën më të veçantë Imzot Rrok Mirditën, i cili u kthye 20 vjet më parë, për t’i shërbyer vendit të tij dhe ka dhënë një kontribut historik në ringjalljen e vlerave më të larta njerëzore e hyjnore dhe së bashku me të kremtojmë këtë 20 vjetor, me ndjenjën e përgjegjësisë së madhe për atë çka është arritur në 20 vite në Shqipëri. Urojmë nga zemra që pashkët që vijnë shqiptarët t’i festojnë edhe më mirë, edhe një herë gëzuar” është shprehur kryeminsitri.Më herët, Kryeministri Berisha vizitoi Kishën Ungjillore për t’i uruar Pashkën besimtarëve ungjillorë. Kryeministri shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë urimet edhe pastorit Ali Kurti, për detyrën e saponisur. Pas vizitës në Kishën Ungjillore, Kryeministri Berisha dha këtë mesazh:“I uroj sot ungjillorëve shqiptarë: gëzuar Pashkët! Këtë ditë të shenjët të ringjalljes së Jezu Krishtit, hyjit e burrit që ndikoi më shumë se kushdo tjetër në moralin e njerëzimit, në moralin e qytetërimit perëndimor e të qytetërimit në tërësi. Uroj me mirënjohje të thellë ungjillorët shqiptarë të traditës së hershme e të shkëlqyer, avokate e pamposhtur e shqiptarizmit, e të drejtave të shqiptarëve në kohërat më të vështira, me një kontribut parësor në krijimtarinë kulturore të kombit tonë. Uroj udhëheqësin e ri të ungjillorëve shqiptarë për detyrën, pastor Alin dhe shumë suksese. Ju uroj të gjithëve që Pashkët e vitit tjetër t’i festojmë edhe më mirë” theksoi kryeministri