Majko nga Korça: Shqipëria 22 vjet pa zgjedhje të lira dhe të ndershme

Deputeti socialist i Korçës Pandeli Majko, ka komentuar raportin e publikuar nga NDI,në lidhje me situatën politike parazgjedhore dhe pozicionin e KQZ, duke u shprehur se kriza vjen pikërisht nga një vendimmarrje, që nuk ka të bëjë me KQZ-në. Në vlerësimin e Majkos, KQZ-ja është një insitucion i politizuar dhe me vendimmarrjen e tij, po bëhet pjesë e krizës zgjedhore.Duke ju referuar deklaratave të kreut të maxhorancës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, më 23 Qershor, Majko shprehet se në këto 22 vite asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje me standarte dhe sipas tij, fajtor është jo vetëm Berisha, por një pjesë të fajit e ka edhe partia, pjesë e së cilës ai është.Përsa i përket debatit të ditëve të fundit, për rikthimin e dënimit me vdekje, Majko u shpreh se reagimi i publikut për një çështje kaq të ndjeshme është reflektim mbi situatën e rënduar kriminale, por deputeti socialist mendon se dënimi me vdekje nuk është zgjidhja e duhur për këtë problematikë. Zgjidhje sipas tij, nuk mund të jetë as propozimi që vjen nga maxhoranca për ndërhyrje të karakterit kimik, tek personat që kryejnë vepra të tilla, si rasti i Prrenjasit. Nga ana tjetër, Majko konstaton se zbatimi i ligjit në Shqipëri lë për të dëshiruar, ndërsa akuzon drejtësinë se ka lënë të lirë persona që kanë kryer krime të rënda.Përsa i përket një aleance të mundshme me LSI, Majko tregohet kategorik kur thotë, se nuk mund të bëhen aleanca parazgjedhore me parti që janë aktualisht në qeveri. Por nga ana tjetër lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit, duke i kërkuar LSI-së, që të përcaktojë qartë qëndrimin e saj, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisjes, apo do ti bashkohet koalicionit të ndryshimit. Në këtë rast, thotë Majko, nuk ka të mesme të artë.