Kryeministri Berisha pret një delegacion të Institutit Demokratik Amerikan
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të NDI (Institutit Demokratik Amerikan), i cili kryesohej nga Guvernatori Howard Dean, në pjesëmarrje të të cilit ishin edhe Kryetarja e Komisionit Federal Zgjedhor znj.Ellen Weintraub dhe ish deputetja e holandeze dhe e Parlamentit Evropian, znj. Lousewies van der Laan.Guvernatori Dean falënderoi Kryeministrin për pritjen e rezervuar dhe nënvizoi se qëllimi i vizitës ishte vlerësimi i përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit.Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Guvernatorit Dean dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit, si dhe i falënderoi ata për interesimin e NDI nder vite, për procesin zgjedhor në Shqipëri. Kryeministri i siguroi miqtë për vullnetin e palëkundur të qeverisë së drejtuar prej tij, për zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë aspekt, Kryeministri siguroi se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, si dhe nënvizoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar me konsensus dhe ritëm për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore.Kryeministri Berisha nënvizoi arritjet në miratimin e kornizës ligjore plotësisht konsensuale, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe propozimeve të opozitës, saktësinë e lartë të listave të zgjedhësve, identifikimit të zgjedhësve, etj. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri vlerësoi si një përmirësim të madh rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të numërimit, çka do të sjelle ulje drastike të kohës së shpalljes së rezultatit, rrit transparencën, besimin dhe legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve.Kryeministri theksoi se pranimi i rezultatit të zgjedhjeve të lira e të ndershme është themelor në demokraci dhe se lideri i opozitës, z. Rama, po përgatit skenarin e kontestimit të zgjedhjeve duke bërë akuza të pabaza apo duke bllokuar vendime të rëndësishme, siç ishte rritja e shpejtësisë së numërimit nëpërmjet rritjes së numrit të ZAZ-ve apo bllokimi i shpërndarjes së mandateve. Kryeministri shprehu shpresën që opozita do të përfshihet me vullnet të mirë në procesin zgjedhor dhe do të heqë dorë nga bllokimi, por nënvizoi se deklarimet paraprake të zotit Rama që vënë në pikëpyetje njohjen e rezultatit, minojnë interesin publik për një proces zgjedhor të gjithëpranuar.Z. Howard Dean e falënderoi Kryeministrin Berisha për ekspozenë dhe qëndrimet e mazhorancës. Ai shprehu kënaqësinë për progresin shumë të madh që ka bërë Shqipëria në 20 vjet, në mënyrë të veçantë në fushën e zgjedhjeve. Ai vlerësoi se vendi ka bërë progres të mëtejshëm në përgatitjet zgjedhore edhe përkundër zgjedhjeve të vitit 2011 dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve të mëtejshme.Në takim, delegacioni i NDI vlerësoi lart angazhimin e Kryeministrit për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politike, si një hap me rëndësi për barazinë gjinore dhe në demokratizimin e shoqërisë.