Çakar: UEFA ka manipuluar me goglat

Një ish-gjyqtar ndërkombëtar turk, Ahmet Çakar, i cili është aktualisht një komentues televiziv në Turqi, pretendon se UEFA ka përdorur një sistem me magnetizimin e goglave për të manipuluar shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.Sipas Çakar, i cili pretendon se i njëjti sistem është përdorur edhe në Europa League, qëllimi ka qenë që të evitohej përplasja e klubeve të mëdha spanjolle, në mënyrë që të krijoheshin gjysmëfinale të cilësisë së lartë. Ish-gjyqtari ndërkombëtar bëri të ditur se kishte filluar "hetimet" rreth kësaj çështje kur në turin e parë eliminator, shorti kishte dalë i njëjtë me atë të provave.Ai tregoi drejtpërdrejt në një emision televiziv në Turqi se si funksionon ky sistem ku disa nga goglat e magnetizuara krijojnë vibracion në momentin kur bëjnë kontakt me një element metalik që mbahet në dorë nga personi që i "peshkon" ato, në këtë rast, Stiv MekManaman. Çakar arriti pa asnjë problem të caktonte të gjitha çiftet çerekfinaliste si në shortin e UEFA-s nëpërmjet këtij sistemi që ai mendon se është vënë në zbatim gjatë hedhjes së shortit.Në ritransmetimin e ceremonisë së shortit, shihet një pamje ku Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, lëviz një levë pranë vazos që mban goglat me emrat e skuadrave çerekfinaliste, lëvizje që sipas Çakar, shërben për të aktivizuar sistemin magnetizues.Tani pritet që UEFA të reagojë rreth kësaj çështje e cila po bën mjaft bujë në media në të gjithë botën