Rama prezanton Shkëlqim Canin si kandidat në Dibër

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka prezantuar Shkëlqim Canin si kandidatin e  kësaj force politike në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Dibrës.Në fjalën e tij, kryesocialisti Rama vlerësoi pritjen që i është bërë PS-së gjatë prezantimit të programit në Bulqizë dhe Dibër. Ai  tha se ishin dy ditë të shkëlqyera për shkak të mikpritjes, por edhe të rënda për shkak të përballjes me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të asaj zone."Falenderoj qytetarët dibranë për mbështetjen që më dhanë gjatë vizitës sime. Çmoj veçanërisht mesazhet e dibranëve që dhanë sygjerimet e tyre të vlefshme.  Gjithashtu falenderoj edhe 200 qytetarët e djathtë të Dibrës që ndërmorrën nismën befasuese të djathtët për  një rilindje duke mbështetur edhe programin tonë për një rilindje shqiptare. Në veri ka nivele marramendëse të varfërisë për shkak të mungesës së ujit dhe të kostos të papërballueshme të prodhimit. Ka mungesë të mësuesve, mjekëve ndërsa në minierën e Bulqizës ka një organizëm i mirëfilltë kriminal.” tha Rama.Ai ka theksuar më tej se dibranët janë lënë në harresë nga Partia Demokratike pasi ajo i konsideron ata vetëm si zgjedhës dhe jo si njerëz.Rama premtoi gjithashtu se pas zgjedhjeve të 23 qeshorit, veriu i Shqipërisë do të shohë një shndërrim total nën qeverisjen e Partisë Socialiste.“Unë dua t’ju siguroj sot se një Dibër tjetër do të shohim katër vjet pas 23 qershorit, falë programit dhe lidershipit socialist dhe progresist” theksoi Rama.Rama gjithashtu e cilësoi Shkëlqim Canin si një vlerë të shtuar morale dhe intelektuale për Partinë Socialiste.“Kur e ftova të hyjë në politikën aktive, i shpreha zotimin tim personal se qeveria jonë do ta ndërtojë Rrugën e Arbrit, ndërsa unë i kërkova një kontribut të posaçëm për Bulqizën, si deputet dhe si ekonomist. Dhe kështu ramë dakord të punojmë së bashku. Shkëlqim Cani është një vlerë e shtuar morale dhe intelektuale për PS" u shpreh Rama.Ndërsa, kandidati i ri i PS-së, ish-guvernatori i BSH-së Shkëlqim Cani tha se kjo është një sfidë e re për të, ndërsa shpalosi menjëherë edhe 3 shtyllat ku sipas tij, duhet përqëndruar puna në qarkun  Dibrës, rruga e Arbrit, bujqësia dhe blegtoria, si dhe minierat.