Berisha pret zv.ndihmëssekretaren e DASH për Lindjen e Mesme, Barbara Leaf

Kryeministri Berisha priti sot në takim Zëvendës Ndihmëssekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, znj. Barbara Leaf, së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të cilët shoqëroheshin nga përfaqësues të Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Z. Henry V. Jardine si edhe diplomatë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë të pres në Tiranë Zëvendës Ndihmwssekretaren Leaf dhe ambasadorin Kobler duke e konsideruar këtë vizitë të rëndësishme si një kontribut dhe një shprehje tjetër e bashkëpunimit të ngushtë e të shkëlqyer me SHBA-të me OKB dhe agjencitë e rëndësishme të saj.Zëvendës Ndihmëssekretarja e Shtetit Leaf, e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të miqve të përbashkët nga Uashingtoni. Pasi u ripohuan marrëdhëniet e bashkëpunimi i shkëlqyer midis SHBA e Shqipërisë, biseda u ndal në kërkesën për zhvendosjen e disa  individëve të grupit (Mojahedin-e-Khalq) MEK të cilët ndodhen në Kampin e "Liria", në Irak dhe strehimin e tyre për arsye humanitare në Shqipëri.  UNHCR u ka dhënë disa residentëve të Kampit "Liria" statusin e refugjatit dhe po bashëpunon me qeverinë shqiptare për tu gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar e humane për këta rezidentë.Kryeministri Berisha i theksoi Zëvendës Ndihmëssekretares së Shtetit Leaf, se sikundër ju premtua Sekretares së Shtetit Clinton, gjatë vizitës së saj historike në Tiranë dhe qeverisë së SHBA, qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për tu ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash, të cilët  janë të mirëpritur dhe do t'ju krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.Zëvendës Ndihmëssekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha duke theksuar lidershipin që ai po dëshomon edhe për këtë çështje, si një mik i vërtetë i SHBA-ve.  Nga ana e tij, Ambasadori Martin Kobler i shprehu Kryeminstrit Berisha mirënjohjen më të thellë të tij dhe të Sekretarit të Përgjithshëm e organizatës së OKB-së si për bujarinë që qeveria shqiptare po dëshmon në këtë rast dhe për faktin që Shqipëria po u tregon vendeve të tjera një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë e të sukseshëm ndërkombëtar,  në emër të vlerave të jetës e të humanizmit.