Arsen Venger, thirrje klubeve angleze të nxjerrin mësime

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, u ka bërë thirrje klubeve angleze të fillojnë të nxjerrin mësime nga ky edicion i Ligës së Kampioneve, ku asnjë skuadër angleze nuk është në çerekfinalet e turneut, për herë të parë në 17 vite."Ky është një zhgënjim i jashtëzakonshëm për futbollin anglez", tha ai pas takimit. "Kjo është një kambanë alarmi për të gjithë pasi Arsenali, Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Çelsi nuk arritën të shkonin në çerekfinale. Pjesa tjetër e futbollit evropian na ka arritur dhe tani duhet ta marrim këtë faktor në konsideratë për të menduar se si do të jetë e ardhmja e kampionatit anglez", vijoi ai duke kujtuar se një skuadër angleze ka arritur në finale në 7 nga 8 edicionet e fundit të këtij turneu.Trajneri francez ka zbuluar se ishte shumë i zhgënjyer nga ky eliminim, sidomos për paraqitjen e dobët që kishte dhënë ekipi në takimin e parë të zhvilluar në Londër."Ne iu afruam kalimit të turit dhe jam krenar për paraqitjen e ekipit. Por jam i zhgënjyer, ashtu si çdo tifoz i Arsenalit, që nuk arritëm të shënonim golin e tretë. Kishim hapësira për të shënuar më shumë dhe më mbetet peng paraqitja jonë e ndeshjes së parë. Kualifikimi luhet në 180 minuta dhe në 90 minutat e para ne nuk ishim vetvetja. Tani shihet qartë pesha e atij goli të pësuar 3 minuta para fundit në ndeshjen e parë. Ai ishte vendimtar", deklaroi trajneri francez