Nesër “Dita e Verës”, policia merr masa për qarkullimin, bllokon disa rrugë

Policia e Tiranës për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen nesër në kryeqytet, me rastin e "Ditës së Verës", ka marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin normal të festimeve, si dhe ndalimin e qarkullimit të automjeteve në vendet ku do të zhvillohen ato, por pa penguar qarkullimin në akset e tjera në kryeqytet.Duke filluar nga ora 07:00 deri në orën 14:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nën tingujt e muzikës do të zhvillohen festimet tradicionale për Ditën e Verës, çka do të sjellë edhe bllokimin e këtij bulevardi përgjatë kësaj kohe.Policia e Tiranës bën me dije se nesër do të bllokohet gjithashtu dhe sheshi "Nënë Tereza", rruga "Murat Toptani" dhe ish-Parku Rinia.Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike , si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore-artistike, që do të zhvillohen nesër  në Tiranë, me rastin e Ditës së Verës, një ditë që simbolizon çeljen e luleve dhe të bimësisë dhe ardhjen e pranverës.