Berisha: Përmirësim të kuadrit ligjor për nxitjen e industrisë së drurit

Kryeministri Berisha ka premtuar sot përmirësim të kuadrit ligjor për të bërë të mundur nxitjen e industrisë së drurit dhe përpunimit të tij.Duke folur në çeljen e panairit të mobilerisë  "Albania 2013", kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vijojë të mbështesë këtë industri e cila është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit."Shqipëria do të vendosë kuadrin ligjor që të dekurajojë importet të cilat dëmtojnë interesat tuaja.  Duhet të bëjmë gjithçka për të krijuar hëpësirën më të madhe për prodhimet tuaja, për eksportet tuaja. Duhet të bëjmë gjithçka që në këtë sektor që punojnë 50 mijë punëtorë direkt dhe indirekt me një ambicie të madhe të punësohen 100 mijë punonjës në mbarë vendin” tha Berisha.Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria do të përkrahë sipërmarrësit të cilët merren me përpunimin  e drurit duke hequr taksat për 3 vjet mbi çdo të punësuar të ri që bëjnë këto biznese.“E vlerësoj këtë biznes për kontributin që jepet në punësimin e shumë personave. Industria e drurit e përpunimit të tij përbën një potencial të madh për vendin dhe ne së bashku jemi të vendosur të përcaktojmë kuadrin ligjor dhe lehtësirat maksimale që bëjnë të mundur zhvillimin më të madh dhe konsolidimin e mëtejshmë të konsolidimit të ekonomisë së vendit. Nesër këto biznese nuk do të paguajnë më tatimin mbi të ardhurat personale. Për të rinjtë e punësuar, shteti do marrë përsipër të gjitha detyrimet fiskale për 3 vjet, ky është një kuadër i ri ligjor që synon para së gjithash nxitjen për punësimin dhe mbi punësimin në Shqipëri” shtoi Berisha.