Tjetër shpërthim në veri të Mitrovicës

Pjesa Veriore e Mitorvicës vazhdon të shpërthejë. Policia e Kosovës thotë se gjatë natës një shpërthim i ri ka ndodhur në rrugën Sutjeska. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Avni Zahiti tha se shpërthimi ka dëmtuar ballkonin e një banese të një qytetari serb të Kosovës.Zahiti tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar. Ky është rasti i fundit në valën e shpërthimeve të tilla, që në muajt e fundit, po ndodhin thuajse çdo ditë në pjesën veriore të Mitrovicës. As për këtë shpërthim policia nuk ka të dyshuar e as të arrestuar.Por mediat kosovare shkruajnë se shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e Nemanja Kokeriç, i cili është punëtor i Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, dhe incidenti ndërlidhet me sulmin e grupeve të caktuara kriminale ndaj qytetarëve serbë të cilët punojnë në institucionet e Kosovës.'Ky është një tentim vrasje ndaj Zyrës tonë dhe punëtorëve të saj dhe asgjë më shumë', ka thënë Hoxhiç.Veriu i Mitrovicës, është zonë e brishtë e sigurisë, dhe vazhdimisht ka qenë arenë incidentesh e shpërthimesh. Dhuna është shpeshtuar në kohët e fundit dhe sipas disa analistëve kjo është pasojë e bisedimeve mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, të cilët po shqyrtojnë zgjidhjen e problemit të strukturave paralele serbe, që kontrollojnë si këtë pjesë të qytetit, ashtu edhe tri komunat tjera me shumicë serbe në veri.Kjo pjesë e Kosovës nuk ka njohur asnjëherë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa strukturat paralele janë financuar rregullisht nga Qeveria e Serbisë.