Lezha e mbuluar nga plehrat, pastrimi i qytetit në kolaps total

Qyteti i Lezhës ka filluar të ngjajë me një pirg mbeturinash, pasi pastrimi i tij nuk kryhet rregullisht nga firma sipërmarrëse e pastrimit. Shkak për këtë situatë është bërë mos lëvrimi i fondeve të parashikuara në kontratën e nënshkruar mes bashkisë Lezhë dhe firmës sipërmarrëse të pastrimit, gjë e cila ka sjellë ulje të ritmit për largimin e mbetjeve të ndryshme.Aktualisht ky shërbim po kryhet çdo tre ditë, duke bërë që në të gjithë territorin e bashkisë të shihen mbeturina të shumta që i kane hequr Lezhës identitetin e një qyteti të pastër. Në kohen kur diskutohet diferencimi i mbetjeve dhe nga bashkia e Lezhës janë marrë qindra mijëra euro për projektet e realizuara për këtë qëllim, fakti në terren është krejt tjetër.Burime nga kompania sipërmarrëse e pastrimit në Lezhë, kanë bërë të ditur se që prej muajit qershor, ky subjekt nuk ka marrë asnjë qindarkë nga bashkia për shërbimin e kryer prej saj, dhe se nuk ka asnjë të dhënë se kur do të zgjidhet kjo situatë.Problemet me realizimin e të ardhurave në bashkinë e Lezhës kanë sjellë rëndim të situatës me pastrimin e qytetit, gjë e cila do të vijojë të përkeqësojë akoma më tej gjendjen. Megjithëse nuk ka marrë asnjë lekë nga bashkia në 5 muajt e fundit, firma sipërmarrëse e pastrimit në qytetin e Lezhës ka vijuar të largojë mbetjet me qëllim që të mos përkeqësojë akoma më shumë gjendjen në të cilin ndodhet ky qytet. Bashkia e Lezhës nuk ka dhënë asnjë shpjegim, ndërsa deklarohet se në ditët në vazhdim do të ketë një reagim në lidhje me këtë situatë të krijuar.