Denar Biba nënkryetar i KQZ-së. Tare merr mandatin e deputetit
Denar Biba zgjidhet nënkryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e parë të saj, anëtarët e KQZ-së kanë votuar me 6 vota pro për Denar Bibën ndërsa Albana Shtylla mori vetëm 1 votë.Gjithashtu Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve votoi unanimish për mandatin e deputetit më të ri socialist Auron Tare, pas dorëheqjes së Andis Harasanit.Trupa e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve bëri betimin në Parlament 8 ditë më parë ndërsa sot ata kanë filluar zyrtarisht detyrën në institucionin më të lartë të administrimit të zgjedhjeve.Parlamenti votëbesoi me votat e palëve 6 anëtarët e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve që vinin si propozime të partive politike parlamentare ndërsa për kryetaren e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve opozita nuk mori pjesë në votim.Partia Demokratike rimandatoi në këtë post Hysen Osmanajn dhe Vera Shtjefnin, Partia Socialiste ndryshoi tërësisht përfaqësinë e saj duke mandatuar Albana Shtyllën dhe Denar Bibën. LSI-ja do të përfaqësohet nga Ilirjan Muhon ndërsa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me Jani Janin.