Xhamia e re, Basha:Është zgjidhur pronësia e truallit

Kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka uruar sot të gjithë besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit. Në një prononcim për mediat pas vizitës në Komunitetin musliman, kryebashkiaku Basha ka njoftuar se tashmë është zgjidhur çështja e pronësisë për ndërtimin e xhamisë së re për kryeqytetin."Dua të jap një lajm të mirë për të gjithë besimtarët myslimanë se është zgjidhur edhe çështja e pronësisë për ndërtimin e xhamisë. Është arritur edhe një marrëveshje me pronarët dhe kështu i hapet rrugë ndërtimit të xhamisë” tha Basha.Gjithashtu kryebashkiaku Basha i bëri një apel politikanëve të shohin më shumë interesat e qytetarëve se sa ato partiake."Kjo është një festë e cila përkujton disa virtyte por unë dua të ndalem tek solidariteti njerëzor, për kujdesin për më të vegjlit, për më të moshuarit, për më të vobegtit.Kjo të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne dhe për udhëheqësit politik të vendit që të shohin më shumë për interesat e vendit dhe jo interesave partiake” tha Basha.