Shqipëria pro Timoshenko, Eugenia falenderon Berishën për angazhimin
E bija e ish kryeministres së Ukrainës Eugenia Timoshenko ka bërë një reagim sa i përket trajtimit të nënës së saj. Ajo madje trajtimin e nënës së saj Yulia e ka krahasuar me trajtimin e të burgosurve të Kosovës në burgjet Serbe.“Nëna ime po trajtohet keq, njesoj si dikur kosovarët në burgjet serbe. Bota, komuniteti ndërkombëtar duhet t`i thonë stop regjimeve diktatoriale, siç pati sukses në Kosovë”, ka thënë Eugenia Timoshenko.Timoshenko ka akuzuar pushtetin e tanishëm në Ukrainë, duke e quajtur regjim diktatorial.“Sot në Ukrainë nuk kemi të bëjmë me një qeveri normale, por me një regjim diktatorial, bandë politike që po kërcënon vendin tonë nga një pro rus Janukoviç. Viktimë e kësaj politike represive sot në Ukrainë nuk është vetëm një person, vetëm nëna ime, por këtu kemi diskriminim, presion mbi një kolektiv të gjerë shoqëror, mbi mediat dhe çdo gjë që është demokratike. Janukoviç është pasardhës i politikes antidemokratike, e ish-presidentit komunist Kouchman” ka thënë Eugenia Timoshenko.Ajo po ashtu ka falënderuar Kryeministrin Sali Berishën dhe gjithë shqiptarët që angazhohen në lirimin e nënës së saj nga burgu.“Falënderoj nga zemra Sali Berishën, shqiptarët dhe gjithë ndërkombëtarët që angazhohen në lirimin e nënës sime nga burgu, sepse njeriu ka një jetë dhe një nënë dhe jo dy jetë e as dy nëna. Unë edhe sikur të mos isha e bija e Yulisë, njësoj do të veproja për lirimin e çdo gruaje te akuzuar, dënuar, burgosur padrejtësisht sepse çdo grua është nënë e dikujt” ka thënë ajo.