Hague: Kosova të vijojë dialogun me Serbinë

Ministri i jashtëm britanik, William Hague ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi vazhdimin e dialogut duke e cilësuar si parësore për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pa dashur të komentojë nëse qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, Hague tha se duhet bërë përparim në të gjitha fazat e këtij procesi."Është me rëndësi që të ketë një lloj përparimi të vazhdueshëm në të gjitha fazat dhe puna të vazhdojë. Dialogu është thelbësor për të dy vendet. Mbretëria e bashkuar e mirëpret takimin e fundit mes dy kryeministrave" tha Hague.Ministri i jashtëm britanik theksoi se faktoi ndërkombëtar ka qënë i qartë me Serbinë. "Nëse Serbia kërkon një datë për bisedimet me BE, duhet dialog si dy vende të barabarta" tha Hague.Duke folur për procesin e bisedimeve, kryeministri Thaçi tha se ka kaluar koha e konflikteve në rajon ndërsa është hapur ai i integrimit europian Kreu i ekzekutivit kosovar tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë në interesin e të gjithë popujve në rajon.“Kosova është gati për të vazhduar këtë proces. Është ndërtuar një konsensus i gjerë politik shumë-partiak e gjithë-etnik. Është me rëndësi që bota demokratike dhe BE-ja është mbështetës për iniciativat e baroneshës Ashton”, u shpreh ai.Megjithatë, as Thaçi nuk dha afat për mundësinë kur Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës. “Duhet të jemi realistë. Nuk duhet të presim që Serbia ta njeh Kosovën në ditët javët apo muajt e ardhshëm. Por, presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën.”, u shpreh ai.Serbia vazhdon të kundërshtojë fuqishëm mundësinë për njohjen e Kosovës, ndërsa ka theksuar se qëllimi i bisedimeve me palën kosovare do të jetë normalizimi i raporteve drejt integrimit në BE.Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës i është vënë Beogradit si parakusht për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.