Greqi, Samaras bën apel për reforma
Kryeministri grek Antonis Samaras ka kërkuar unitet ndërsa aleatët e koalicionit të tij qeverisës refuzuan të mbështesin reformat e sektorit të punës të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë të Athinës. Venizellos dhe Kuvelis bllokuan marrëveshjen politike mbi masat e kursimit që duhen zbatuar në mënyrë që Athina të marrë këstin e radhës së ndihmës financiare."Unë e di shumë mirë se çfarë është në rrezik sot për vendin. Në 3 muaj ne çdo ditë jemi duke ndryshuar imazhin e Greqisë. Dhe në rrethanat më të vështira kemi bërë negociata për të nxjerrë vendin nga qorrsokaku. Ne tashmë kemi shumë ndryshime nga propozimet origjinale të Trojkës. Kriteri i vetëm është gjithmonë e ardhmja e Greqia dhe nuk mund të largohemi nga kjo përgjegjësi. Mbi të gjitha unë nuk dua të mendoj se çfarë do të ndodhë në qoftë se këtë herë nuk e mbajmë timonin fort" tha Samaras gjatë një fjalimi televiziv drejtuar popullit grek.E Majta Demokratike dhe socialistët e PASOK këmbëngulën të mos mbështesin shkurtime të tjera në paga, përfitime sociale e pensione.Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos tha se duhet t`i jepet fund marrëveshjes, që mban vendin në pasiguri. "Greqia nuk është një protektorat", ka deklaruar Venizelos.Kryeministri Samaras kërkon që masat të kalojnë me procedura emergjente, për shkak të presionit të kohës dhe për shkak të rrjedhjeve që pritet të ketë gjatë votimit të tyre në Parlament.