Kontraste opozitash, e bashkuar ajo maqedonase, shqiptarja e ndarë
Në Maqedoni opozita maqedonase tashmë është bashkuar tërësisht, derisa në anën tjetër partitë e opozitës shqiptare mbeten të ndara.Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM dje promovoi bashkimin e tyre mes forcave të majta dhe të djatha, duke paralajmëruar një fitore në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, partitë shqiptare mbeten të përçara dhe deri tani nuk ka sinjale për aleanca midis tyre në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2013.Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si një nga forcat më të mëdha opozitare deri tani e ka të zyrtarizuar koalicionimin e përbashkët teknik me LSDM opozitare për të bashkëpunuar dhe përkrahje të ndërsjelltë për zgjedhjet lokale. PDSH gjithashtu paralelisht ka mbyllur promovimin e kandidaturave për zgjedhjet lokale nga Likova deri në Strugë.Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk ka shprehur gatishmërinë për krijimin e një blloku opozitar shqiptar për zgjedhjet e ardhshme.Nga ana tjetër, deri tani nuk janë dhënë sinjale për koalicionimin e partive tjera të opozitës, një nismë e paralajmëruar disa muaj më parë midis RDK, DR, BDSH dhe subjekte tjera joqeveritare politike. Në RDK nënvizojnë se janë të hapur për të bashkëpunuar me partitë e tjera opozitare përmes marrëveshjeve parimore.Demokracia e Re akoma nuk ka vendosur lidhur me koalicionimet e ardhshme me partitë e tjera politike. BDI nuk ka komentuar lëvizjet dhe qëndrimet e opozitës shqiptare. Nga kjo parti theksojnë se qëndrojnë pas deklarimeve të liderit të tyre Ali Ahmeti, se shqiptarët kanë nevojë për një opozitë të fuqishme dhe konkurrente në Maqedoni.