Thaçi: Lideri i Vetëvendosjes të debatojë në Kuvend jo në rrugë

Një ditë pasi lëvizja Vetëvendosje protestoi dhunshëm kundër dialogut politik me Serbinë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi i ka bërë thirrje liderit të Vetëvendosjes që të mos përdorë ndjenjat patriotike për qëllime politike.I pari i qeverisë kosovare tha se protestat e dhunshme janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen ndërsa i ka bërë thirrje kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti që debatin politik ta bëjë në Kuvend dhe jo në rrugë."Vetëvendosje asnjëherë deri më tani nuk i ka zbatuar ligjin për protestat prandaj unë ftoj sot kreun e Vetëvendosjes që debatin e humbur në Parlamentin e Kosovës të mos e zhvendosë në rrugë. I bëj thirrje të ndërpresë njollosjen e policisë dhe institucioneve të rendit. Kreu i Vetëvendosjes të debatojë në parlament dhe t`i ngrejë shqetësimet atje por jo në rrugë dhe jo dhunshëm. Jo duke cënuar institucionet. Nëse duan protestën le të komunikojnë me policinë, të marrin leje dhe policia do ti mbrojë” tha Thaçi.Lidhur me akuzat e Vetëvendosjes se policia e Kosovës ka përdorur dhunë ndaj aktivistëve të saj, kryeministri kosovar tha se policia e Kosovës nuk mund të bëhet palë me ata që duan të përdhosin institucionet."Policia po bënte detyrën. Policët e Kosovës dhe qytetarët nuk janë palë ata janë një. Ne kemi dhënë shumë jetë për të thënë mendimin lirshëm por liria dhe demokracia nuk nënkupton dhunën, nuk nënkupton që mund të përdhosen institucionet dhe të pengohet puna. Policia është institucioni më i respektuar në rajon dhe është më profesionalja. Ata janë në shërbim të rendit prandaj askush nuk duhet të ndjellë vëllavrasëse dhe kaq shumë urrejtje të panevojshme” shtoi Thaçi.Ndërkohë sa i përket dialogut me Serbinë që pritet të rinisë në muajin nëntor, Thaçi tha se ky dialog po zhvillohet duke zbatuar kushtetutën dhe në bazë të rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës për normalizimin e marrëdhënieme mes dy vendeve.