BE pa plan për veriun e Kosovës

Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë plan të vetin sa u përket raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk ka as ndonjë plan të vetin që do ta imponojë sa i përket veriut të Kosovës. E tërë atë që po bën Bashkimi Evropian është tentimi për t`iu ndihmuar të dy palëve që t`i zgjedhin problemet e ndërsjella. Kështu ka deklaruar të martën përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar, në debatin e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, me temën “Qasja e Qeverisë në Veri Kosovës dhe skenarët e mundshëm në procesin e negociatave për veriun e Kosovës”.Samuel Zhbogar, duke folur për gjendjen në veri të Kosovës, ka thënë se edhe pse situata atje për momentin është e qetë dhe stabile, megjithatë një situatë e tillë për BE-në është e paqëndrueshme dhe e patolerueshme dhe se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse përfaqësuesja e Bashkimit Evropianë Katrin Ashton, ka ftuar për bisedime kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiçin.“Ne mendojmë që duhet të zhvillohen tre lloje të dialogut. Pra dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës që tashmë ka filluar me ndihmën e BE-së dhe të ShBA-ve. Duhet të zhvillohet dialogu i Kosovës me veriun, sepse ka probleme të veçanta dhe kjo është ajo që kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shtrijë dorën që t`i bëjë gjërat në raport me veriun për ta zvogëluar tendosjen mes njerëzve. Dhe dialogu i tretë duhet të zhvillohet mes serbëve në veri dhe jug”, ka thënë ai.