Sekretarja amerikane e shtetit Klinton viziton Tiranën
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, do të vizitojë javën tjetër Shqipërinë në kuadër të një turi që do të zhvillojë në Ballkan.Lajmi bëhet i ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit i cili thekson se në Tiranë, sekretarja Klinton do të theksojë solidaritetin me Shqipërinë, aleate e NATO-s dhe do të marrë pjesë në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në Parlament.“Sekretarja Klinton do të vërë theksin tek nevoja e bashkëpunimit më të fuqishëm politik dhe vendosjen e sundimit të ligjit”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.Gjithashtu DASH thekson se sekretarja Klinton do të udhëtojë në Ballkan për të dëshmuar edhe një herë interesimin, përkushtimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë rajon dhe të ardhmen e tij në integrimet evropiane dhe euro-atlantike.Në Bosnjë, Serbi dhe në Kosovë, ajo do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme te Bashkimit Evropian Catherine Ashton.Në Prishtinë dhe Beograd, ato do të flasin për çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe do ta ritheksojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, se Serbia dhe Kosova duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të avancojnë në dialogun e tyre, si dhe do t`i inkurajojnë palët në hedhjen e hapave konkret, që do tu mundësojnë të dyja vendeve të përparojnë në rrugët e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.