100 vjetori bashkon Berishën me Meksin që nga “Piramidat”
Njohësit e politikës së viteve të 90-të, por edhe publiku i zjarrtë politik i atyre viteve i ka fiksuar në memorje si dyshen e pandarë të qeverisjes demokratike 92-97. Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi dikur bashkëdrejtues të vendit si President dhe Kryeministër janë shfaqur pas shumë vitesh të larguar prej njëri- tjetrit. Ka qënë një surprizë në fakt për shumë njerëz shfaqja e Berishes në promovimin e albumit fotografik të njeriut me të cilin politika i ndau pas 97-ës. Hamëndësimet mund të shkojnë përtej aktivitetit, por gjithsesi qëllimi ka qënë mbështetja e këtij projekti interesant në 100-vjetorin e pavarësisë.“Ky album paraqet të vërteta historike dhe ky 100 vjetor të shërbejë si një mundësi e madhe reflektimi për historinë tonë kombëtare. Në ekspozitë janë shfaqur periudhat e mrekullive kombëtare, që nga koha e Skënderbeut dhe deri në lindjen e shtetit demokratik. Në çdo një prej kësaj periudhe shqiptarët rilindnin nga hiri si Feniksi. Nëse hedhim vështrimin në 100 vitet që shkuan shqiptarët gjejnë periudha të errëta, por edhe periudha të ndritura. Në trojet shqiptare është shfaqur një figurë nga më uniket në historinë e njerëzimit, Skënderbeu. Në një moment tjetër dramatik për vendin, kur rrezikohej copëtimi i trojeve shqiptare pikërisht në Prizren ndodhi një tjetër mrekulli shqiptare, u ndez flaka e bashkimit kombëtar dhe sërish kombi u ngrit hiri si Feniksi. Shpallja e pavarësisë në 1912, pushtimi i Shqipërisë në 1939, diktatura komuniste, janë ngjarje historike që faktuan edhe njëherë se si kombi është ngritur nga hiri. Ne sot jemi vend anëtar në NATO dhe po punojmë për tu integruar në BE.Një tjetër ngjarje e ndritur në historinë kombëtare, mbetet lufta e Kosovës. Rol vendimtar në këtë luftë kishte NATO, por një meritë të jashtëzakonshme kishin shqiptarët, sepse arritën të fitonin mbështetjen e SHBA-ve dhe vendeve të perëndimit dhe qëndruan si një komb i vetëm, pa u lëkundur dhe pa u tërhequr, edhe pse në kushte të vështira"- tha Berisha.“Është e vështirë në një album të futet e tërë historia e popullit shqiptar. Ky album paraqet rrugën e vështirë të kombit dhe qëndresën e tij. Jemi munduar të bëjmë një paraqitje të ilustruar të historisë. Në to përfshihen edhe ngjarje dhe personalitete shqiptare të harruara ose mbivlerësuara përgjatë viteve”vuri në dukje Meksi.Albumi përmban 1000 histori shqiptare të përmbledhura në 300 faqe me fotografi të rralla ku bashkëjetojnë sëbashku historia dhe ngjarja të ndalura në foto. Ai paraqet rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të kombit shqiptar dhe qëndresës së tij deri në shpalljen e Paravësisë , moment ky i cili zë edhe vendin kryesor në këtë përmbledhje pa lënë pas edhe pavarësinë e Kosovës. Promovimi i kesaj vepre unike e sjellë nga prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe studiuesi Xhevahir LLeshi ka bashkuar krerë të lartë të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, studiues dhe dashamirës të historisë shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.