Zgjedhjet 2013, Nishani fton partitë për caktimin e datës
Data 5 nëntor pritet të mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare në ambjentet e Presidencëc për të caktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përmes një njoftimi për shtyp në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit Nishani fton partitë politike parlamentare të bisedojnë e të konsultohen për caktimin e datës së zgjedhjeve 2013-të për Kuvendin.“Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t`u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”,- thuhet në njoftimin e Presidencës.Dy ditë më parë eksperti i Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, duke nënvizuar se dhjetori i 2012-tës është afati maksimal për dekretimin e datës së zgjedhjeve, inkurajoi Presidentin Bujar Nishani të mos presë deri në limitet e fundit kohore, por të përcaktojë sa më parë datën e zgjedhjeve.