Shfajsohet Stramaçioni: Ishim të lodhur nga Europa League
Trajneri i Interit, Andrea Stramaçioni, ka gjetur alibinë për dështimin e radhës së Interit, që ka zhgënjyer përsëri në kampionat ndaj Fiorentinës, duke humbur një shans të mirë për t'ia afruar kreut. Sipas teknikut të zikaltërve, faji i kësaj rënie të menjëhershme të ekipit është pjesëmarrja në Europa League, e cila sipas tij po lodh mbi normalen skuadrën që ai drejton."Nuk mund ta imagjinoja që do të kishim një kundërpërgjigje të tillë nga ana fizike. Po paguajmë një çmim të rëndë për pjesëmarrjen në Europa League. Ky Inter ishte shumë i shëmtuar, por mendoj se në këtë kampionat mund të pranohet një humbje e tillë. Kemi një gjendje lodhjeje, por gjithsesi do të mundohemi që të arrijmë çdo objektiv që i kemi vënë vetes. Po nderojmë Europa League me pjesëmarrjen tonë, por ndoshta po humbim shumë energji në fushë në atë turne", tha Stramaçioni, i cili nuk ngurron të theksojë se pjesë e fajit për këtë humbje vazhdon të jetë trajtimi që i bëhet Interit nga gjyqtarët.