Superliga Shqiptare, emocionet dhe rezultatet e javës së 15-të
Kampionati Shqiptar i futbollit, pas shumë diskutimesh e kritikash për tolerime ndeshjesh, mes Flamurtarit dhe Bylis në mesjavë, Superliga është rikthyer këtë fundjavë për të luajtur ndeshjet e javës së 15-të.Kampionët e Shqipërisë në fuqi janë kthyer te fitorja, pas humbjes kundër Vllaznisë, duke mundur në transfertë skuadrën e Apolonisë me rezultatin minimal 1-0. Goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga Bicaj në pjesën e parë. Përveç fitores së kryesuesve të kampionatit, një fitore të rëndësishme ka arritur edhe Teuta ndaj Luftëtarit. Një dopietë e Daniel Xhafës mban në lojë Durrsakët të cilët tashmë janë e vetmja skuadër që po mundohen të mbajnë ritmin e Skënderbeut, pasi Tirana ka dështur këtë fundjavë në transfertë ndaj Shkumbinit. Kryeqytetasit janë mundur në Peqin me rezultatin minimal 1-0, duke treguar edhe një herë se nuk janë një skuadër e denjë për të rivalizuar për titull kampion. Goli i vetëm në këtë takim është shënuar nga Mustafa në pjesën e dytë të takimit me anë të një 11 metërshi.Fitore e rëndësishme në këtë javë të Superligës ka qenë ajo e Flamurtarit. Vlonjatët kanë arritur të dalin me tre pikë nga fusha e vështirë e Laçit, pasi kanë fituar me rezultatin 1-2, duke u hakmarrë disi për humbjen e pësuar në fazën e parë ndaj kurbinasve.Ndërsa një ndeshje tjetër e rëndësishme e kësaj jave në kampionatin Shqiptar të futbollit, ka qënë derbi verior mes Vllaznisë dhe Kukësit, i cili ka përfunduar me fitoren minimale të kuqebluve. Rexha ka qenë autori i golit të vetëm për shkodranët, të cilët nën drejtimin e teknikut Bushati, regjistrojnë vetëm rezultate pozitive deri tani. Ajo që vlen të theksohet, është se me stafin e ri drejtues, Vllaznia nuk është rikthyer vetëm te fitoret por ka rikthyer në shkallët e stadiumit sportdashësit e shumtë shkodranë që në muajt e fundit i kishin munguar ekipit.Në ndeshjet e tjera të javës së 15, në Berat, Tomori ka mundur Besën me rezultatin minimal 1-0 ndërsa Bylisi pas rezultatit zhgënjyes në mesjavë kundër Flamurtarit, është ndalur në shtëpi në barazim 0-0 ndaj skuadrës së Kastriotit, duke humbur shumë nga shkëlqimi i fazës së parë.